“Tregoi se nuk është lider, por i varur nga Meta dhe Berisha”

E tha në Kamzë, por e ripërsëriti në Lezhë se çfarë kuptimi kishte gatishmeria për të bashkëpunuar me Lulzim Bashën. Si përgjigje për Presidentin por dhe për këdo tjetër që e ka keqkuptuar deklaratën e tij, Edi Rama e sqaron.

“Se dëgjova që kishte dalë Meta dhe thoshte që ta bëjnë tani marrëveshjen. Kë marrëveshje? Unë thashë duhet të bashkëpunojmë pas zgjedhjeve me opozitën se ata opozitë janë dhe opozitë do mbeten”.

Mungesën e gatishmërisë së Lulzim Bashës për të pranuar këtë ftesë e sheh si provën më të mirë se ai nuk është lider por një udhëndjekës i Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët e drejtojnë pas kuintave.

“Ai është udhëndjekësi i Saliut dhe Ilirit se unë për Shqipërinë dhe shqiptarët jam i gatshëm që të shkoj përtej ndasive të 30 viteve, por që ta bësh këtë duhet të jesh lider, udhëheqës, duhet të kesh forcën e karakterit, vizionin e të ardhmes, duhet të jetosh së brendshmi me hallet e njerëzve, duhet të rrish pa gjurmë kur njerëzit janë pa çati, apo pa gjumë se kanë ankthin si do të dalin nga pandemia”.

Ndërsa në Shkodër akuzoi demokratët se me të njëjtat metoda të komunizimit kanë marrë peng qytetin prej 3 dekadash.

“Shkodrën e mban peng Enver Hoxha, akoma sot me hijen e tij. E mban peng me atë që quhet Partia Demokratike e Shkodrës. Vetëm hija e Enver Hoxhës në tru mund të shpallte Jozefina Topallin tradhtare në PD. Jozefina Topalli nuk është shoqja ime, nuk ka asnjë lidhje me atë që unë dua të shikoj tek një grua që mund të përfaqësojë Shkodrën. Po të shpallet tradhtare? U marrtë e mira që keni 30 vite që luftoni komunizmin, cilin komunizëm po luftoni. Unë komunisti dhe Sali demokrati.Ej a jeni në vete, a jeni në tru të kokës, a ju ka ikur mendja dhe nuk do të ktheheni akoma. Kush është komunist këtu”.

Është i qartë se investimet në Shkodër nuk kanë qenë ato që do donte të ishin, por kërkon një mundësi që socialistët të provohen edhe në Shkodër.

Në takimet përmbyllëse të zhvilluara në Kamzë, Lezhë e Shkodër u  ndal gjatë të rreshtojë ato që i cilëson gënjeshtra elektorale të Lulzim Bashës, ndërsa përballë tyre vendosi edhe me shifra që është bërë në 2 mandate si dhe projektet që do të vijojnë në mandatin e tretë që thotë se është i padiskutueshëm që do të vijë për PS në 25 Prill.

Në Lezhë inspektoi dhe maternitetin e sapo përfunduar me një investim të qeverisë.

Tv Klan