Për Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane të Maqedonisë, Bujar Osmanin, tranzicioni i pushtetit në Greqinë fqinje është më i rëndësishëm se sa kush është fituesi. Ai ka uruar Kyriakos Mitsotakis për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke shfaqur shpresën se bashkëpunimi i filluar me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Osmani shton se Marrëveshja e Prespës është e garantuar ndërkombëtarisht dhe se edhe mëtej do të jetë bazë për përparimin e marrëdhënieve mes dy fqinjve. Por, Lupcho Petkovski nga Organizata Joqeveritare ‘EVROTING’, nuk përjashton probleme gjatë zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Unë mendoj se 90% e kontestit për emrin ishte rreth antikës, se kush kishte të drejtë t`i shfrytëzojë mitet e antikës. Me Marrëveshjen e Prespës ne hoqëm dorë nga kjo. Nga njerëzit që janë të kyçur në proces dëgjoj se në këtë pjesë, në çështjet arsimore, arkeologjike, historike ka një progres. Këtu do të dakordohemi, për dallim nga bullgarët, me të cilët nuk pritëm probleme, por ja ndodhën. Por mendoj se më shumë probleme do të ketë në ato rregullore, të lëna qëllimisht rreth shfrytëzimit të emrit Maqedoni në çështjet tregtare”.

Për profesorin Denko Maleski është e pasigurtë se si do të jetë qasja e Athinës zyrtare rreth anëtarësimit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Asgjë nuk mund të përjashtohet. Ne do të donim që Tsiprasi të vazhdonte për shkak të realizimit më me sukses të Marrëveshjes së Prespës, por populli grek vendosi ndryshe. Tsipras pagoi çmimin e “Prespës”, veçanërisht në pjesën veriore të vendit”.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, me të cilën u mbyll kontesti shumëvjeçar me Greqinë rreth përdorimit të emrit Maqedoni, sipas analistëve edhe më tej do të zhvillohet në mënyrë asimetrike, duke pranuar me këtë rast se dinamika e nënshkrimit të marrëveshjeve të ndërsjellta është përshpejtuar, por se nuk përjashtohen më shumë mosmarrëveshje rreth detajeve të kësaj marrëveshje.

E mira e rezultateve zgjedhore, sipas analistëve, është që Kryeministri i deritashëm Tsipras ka humbur më disa përqindje, respektivisht blloku që ka përkrahur Marrëveshjen e Prespës mbetet forcë serioze politike në Greqi.

Tv Klan