Ky postim në rrjetin social Facebook bërë nga avokati Genci Gjokutaj u konsiderua nga Policia e Tiranës si thirrje për kryerjen e veprimeve të dhunshme.

Për këtë ai u referua në Prokurori me argumentete se duhet të mbajë përgjegjësi penale për akuzën e “Thirrjeve publike për veprime të dhunshme“.

Në këtë postim, Gjokutaj shprehet se vetëm revolta popullore dhe forca njerëzore shkulin hajdutët nga pushteti.

“Shqiptarë që e doni Shqipërinë dhe jo që dini shqip! Dilni nga shtëpitë sot! Thyeni çdo sportel që ju kërkon shpirtin! Rrihni çdo polic që mbron hajdutët! ’Vrisni’ çdo patronazhist që ju vjedh të ardhmen dhe familjen! Vetëm kështu shqiptarët mund të bëhen Zotërinj dhe Shqipëria Zonjë!”

Pas referimit në Prokurori, avokati reagoi sërish dhe tha se postimi i një nate më parë shpjegonte konceptin e tij për rotacionin politik, por nuk ka lidhje me dhunën.

“Thirrjet në status si …..thyeni çdo sportel që ju merr shpirtin nënkupton kundërshtimin ndaj administrates së korruptuar në abuzimin me fondet publike! Thirrja …. rrihni çdo polic që mbron hajdutët nënkupton kundërshtimin dhe mosbindjen civile ndaj shtetit që merr në mbrojtje hajdutët! Thirrja ….’vrisni’ çdo patronazhist që ju vjedh të ardhmen dhe familjen nënkupton zhdukjen e sistemit të patronazhimit i cili vjedh votën e lirë!”

Tashmë mbetet në dorën e Prokurorisë së Tiranës nëse do të vlerësojë të regjistrojë hetim për këtë rast.

Klan News