17 nëntor 2026- Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore është mbledhur këtë të martë, ku në tryezë është e pranishme edhe Partia Demokratike.

Bashkëkryetari i këtij komisioni nga radhët e PD-së, Oerd Bylykbashi, ka prezantuar disa nga propozimet e opozitës për ndryshimet në sistemin zgjedhor, duke theksuar nevojën për lista 100% të hapura, rikthimin e koalicioneve dhe ndarjen e shtetit nga partitë politike.

Bylykbashi bëri të ditur se opozita ka punuar intensivisht gjatë dy muajve të fundit për hartimin e një pakete të plotë amendamentesh, e cila synon të përcaktojë qartë ndalimet për institucionet shtetërore gjatë procesit zgjedhor, përgjegjësitë për shkeljet dhe sanksionet përkatëse.

Ndër propozimet kryesore të PD-së është kalimi në një sistem proporcional kombëtar me lista 100% të hapura për zgjedhjet parlamentare, shoqëruar me një prag zgjedhor që të mos pengojë partitë të marrin pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, opozita kërkon hapjen e listave për këshilltarët bashkiakë.

Një tjetër kërkesë e rëndësishme lidhet me rikthimin e koalicioneve, duke i dhënë mundësi partive politike të bashkëpunojnë lirisht në zgjedhje.

Sa i përket përdorimit të burimeve shtetërore, Bylykbashi theksoi se partitë duhet të konkurrojnë me burimet e tyre, ndërsa institucionet publike duhet të funksionojnë në mënyrë neutrale dhe të mos veprojnë në favor të forcës politike në pushtet.

“Pa një kornizë të plotë të qartë dhe të detaje, ku përcaktohen ndalimet, pra çfarë shteti  nuk duhet të bëjë, sepse  zgjedhjet i bën dikush tjetër, i bën KQZ-së, pro qeveria në nivele qëndron dhe vendor dhe çdo institucion tjetër çfarë nuk duhet të bëj, përgjegjësi e qartë për këdo që shkel, sanksione të qartë që dhembin, nga administrative me gjoba të rënda, sanksione penale të shkruara qartë.

Do jetë paketë e plotë nenesh, që kanë një koncept të zhvilluar nga pas. Opozita ka dy muaj që punon në mënyrë intensive. I ka gati amendamente. Ne paraprakisht do të prezantojmë sot në këtë komision të gjithë arkitekturë e këtij propozimi që bëmë. Listë e hapur e partive, zgjedhësi voton partinë që do. Pse duhet të shqetësohet kryeministri se më kë afrohen partitë, nëse nuk është në gjendje t’i afrojë ato.

Sistem proporcional kombëtar me listë 100% të hapur për zgjedhjet parlamentare dhe me prag zgjedhor, që të mos pengojë partitë që të hyjnë dhe lirisht vetëm në zgjedhje. Kemi kërkuar hapjen e listave edhe për këshilltarë bashkiakë

Partia konkurron me burimet e veta, shteti qeveris me burimet e shtetit. Shteti funksionon në mënyrë neutrale, i pandaluar, por nuk vepron në favor të partisë në pushtet. Ndarja e shtetit nga partia është mirëqeverisje“, tha Bylykbashi.

Propozimet e Partisë Demokratike që sipas saj kërkojnë ndërhyrje të posaçme:

1- Administrata publike

“Mbrojtja nga presioni politik dhe hierarkik dhe garantimi i neutralitetit derisa të arrihet depolitizimi që kërkon ODIHR-i në rekomandimin prioritar të 2019-s.”

2- Neutraliteti i pushtetit normativ, fiskal dhe social

“Ndalimi i përdorimit elektoral të vendimeve, lehtësive fiskale dhe përfitimeve sociale duke miratuar ligje të posaçme, akte normative, VKM apo akte të tjera – si më i fundit që keni dëgjuar që flasin sot për indeksime që do të ndodhin në prill në mes të fushatës. Jo, këto do të jenë të ndaluara! Janë sot të ndaluara, por do të jenë qartësisht të ndaluara. Paketa do të përfshijë ndalimin e shmangies duke miratuar në kohë për t’i bërë bisht ndalimeve të qarta zgjedhore. OSBE/ODIHR ka kërkuar që ndalimet të fillojnë nga dekreti i zgjedhjeve, jo 4 muaj përpara. E për këtë arsye është më e thjeshtë të bësh një mirëqeverisje normale dhe investimet e çdo gjë tjetër t’i japësh përgjatë 4 viteve sesa të dendësh me paranë e shtetit për të arritur efekt elektoral.”

3- Buxheti, prokurimet dhe investimet

“Ndalimi i përfitimit elektoral nga fondet dhe pasuria publike duke ruajtur funksionimin normal të ekonomisë. Buxheti do të shpenzohet, projektet do të vazhdojnë, do të ketë prokurime, por këto nuk devijohen në funksion të rezultatit zgjedhor.”

4- Patronazhimi politik dhe kushtëzimi i shërbimeve publike nëpërmjet patronazhimit

“Ndalimi i rrjeteve që përdorin administratën, punësimin, shërbimet publike për të ndikuar sjelljen politike. Doni shembullin për këtë? ‘Prania besnike’ dhe regjistri i pranisë besnike – rast tipik në shkelje të ligjit aktual të patronazhimit. Ta nxijnë jetën te sporteli i shtetit, nuk merr shërbimin, vjen në fundjavë tek zyra politike e partisë në pushtet, ta mbajnë shënim hallin dhe mbi bazën e shënimit ta zgjidhë partia hallin që ta ka krijuar vetë administrata për qëllime patronazhimi. Përpiqen t’i japin dhe qytetarinë asaj që është e paligjshme dhe e paturpshme.”

5- Kontrolli dhe pushteti shtrëngues

“Ndalimi i kontrolleve, inspektimeve dhe masave administrative selektive për presion elektoral. A ka njeri që ka dyshim se si përdoren sot inspektoratet si kamxhik mbi bizneset dhe mbi qytetarët e thjeshtë me gjoba apo kërcënime, apo në mënyrë selektive hiqen gjobat e nuk bëhen inspektime? Edhe kjo duhet ndaluar patjetër me kornizë të posaçme.”

6- Të dhënat e qytetarëve

“Ndalimi i përdorimit të bazave shtetërore të të dhënave për profilizim politik, targetim dhe kontroll të zgjedhësve. Sot nuk kontrollohet vota tek numërimi, kontrollohet zgjedhësi duke i krijuar frikën, dhe për këtë përdoren të dhëna personale që ka shteti. Prova për këtë sot keni dëgjuar nga databaza me 900.000 vetë e me radhë, janë fakt i njohur botërisht.”

7- Funksioni publik dhe aktivitetet zyrtare

“Ndalimi i kthimit të inaugurimeve dhe vizitave inspektive në propagandë partiake. Ndalohet sot, por do të ketë rregulla të qarta. Një kryeministër që kandidon mund të premtojë në të ardhmen çfarë do të bëjë, por jo të përdoret funksioni publik dhe pushteti gjatë periudhës zgjedhore.”

8- Propaganda institucionale dhe media

“Ndarja e informimit publik nga propaganda elektorale dhe kontrolli i komunikimit institucional. Do të jetë fare e qartë dhe e ndaluar që llogaritë, qoftë në mediat sociale të organeve shtetërore, nuk mund të abuzohen për propagandë partiake, por as llogaritë e funksionarëve shtetërorë nuk mund të përdorin propagandën shtetërore në funksion partiak.”


“Të ndalosh të drejtën politike të 130 mijë zyrtarëve, qasje jo normale“

Bashkëkryetari i Komisionit nga radhët e socialistëve, Damian Gjiknuri, tha se propozimet e Partisë Demokratike do të kalojë filtrin e ekspertëve të Komisionit dhe do të shikohen nëse propozimet e tyre janë në përputhje me Kushtetutën.

Ai theksoi se patjetër që zgjedhjet kanë nevojë për rregullime, por hodhi poshtë pretendimet e PD-së, e cila theksoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë demokratike.

“Gjithmonë kërkoj dhe nuk gjej ndonjë vend që të ndalojë të drejtat politike të qytetarëve të tij. Pse? Sepse punon për shtetin. Dakord, janë disa profesione që kufizohen, ushtaraku, gjykatësi, polici, zyrtarët e shërbimit shtetëror, por që një nëpunës shteti të privohet nga e drejta politike, kjo nuk është dëgjuar ndonjëherë. Pra, të privosh të drejtën politike të 130 mijë zyrtarëve të shtetit.

Të bësh ndalime absolute… Unë e kam thënë se të thashë liqenin për të kapur peshkun, kjo më duket qasje jo normale në një shoqëri demokratike. Nuk mund të bëni gjykatësin e standardeve zgjedhore. Patjetër që zgjedhjet kanë kritikat e tyre, por ju thoni se vetë BE ngre gishtin, por në të vërtetë BE ka kërkuar që Shqipëria të rregullojë disa gjëra, por nuk ka thënë as BE dhe as ODIHR që zgjedhjet janë antidemokratike. Ju paraqitët konceptin politik, ne do t’i autorizojmë ekspertët e komisionit që, menjëherë sapo të vijnë propozimet, të shohin se sa janë në përputhje me Kushtetutën. Njëkohësisht, aty do të fillojnë negociatat politike”, tha ai.

/tvklan.al