I ndërtuar në vitin 28 para Krishtit, ishte shkatërruar nga Musolini

Pas shumë dekadave dhe neglizhencës, një nga monumentet më të rëndësishme të Romës antike, mauzoleumi i perandorit të parë August, është restauruar dhe do të rihapet në fillim të vitit të ardhshëm.

Mauzoleumi është varri më i madh rrethor në botë që u ndërtua në vitin 28 para Krishtit pranë brigjeve të lumit Tiber për të strehuar eshtrat e Augustit dhe trashëgimtarëve të tij, përfshirë perandorët Tiberius, Caligula dhe Claudius. Ai do të hapet në muajin Mars deri në 21 Prill, datë që shënon edhe themelimin e Romës, për të gjithë turistët hyrja do të jetë falas.

Kryebashkiakja e Romës Virginia Raggi është shprehur se të rihapësh një monument të tillë është një sinjal shprese për të parë një të ardhme të sigurt pavarësisht nga pasiguritë që sjell pandemia. 

Dikur një nga ndërtesat më madhështore në qytet, ky varr pësoi shumë ndryshime pas rënies së Perandorisë Romake, ku si fillim u shndërrua në një kështjellë të  fortifikuar, pastaj në një kopsht dhe më pas një amfiteatër për shfaqjet e demave dhe fishekzjarrëve.

Në fillim të shekullit të kaluar ai u shndërrua në një teatër të madh për koncerte dhe opera para se diktatori fashist Benito Mussolini të urdhëronte shkatërrimin e auditorit.

Augusti ndihmoi në transformimin e Romës duke e bërë atë një qytet të klasit botëror me projektet e tij të infrastrukturës. Në varrin e tij thuhet “E gjeta Romën një qytet me tulla dhe e lashë atë një qytet me mermer”.

Veshja origjinale e mermerit që zbukuronte varrin e tij u plaçkit shekuj më parë dhe një statujë që dikur qëndronte mbi ndërtesë është zhdukur prej kohësh, por turistët do të kenë mundësinë që vitin tjetër të shohin lavditë e këtij varri.

Klan Plus