Ministri i Brendshëm italian Mateo Salvini shprehet i gatshëm për të hequr dorë nga imuniteti si senator për t’i hapur rrugë drejtësisë për hetim, pas urdhrave të dhënë prej tij për të mos lejuar zbarkimin e emigrantëve të shpëtuar nga mbytja në ujërat e Mesdheut.

Për mediat italiane Mateo Salvini tha se kishte bërë vetëm detyrën me urdhërndalimin e ankorimit të anijeve me emigrantë.

Kreu i Lega Nord sulmoi po ashtu ashpër sistemin e drejtësisë, për të cilin tha se ka nevojë për reformë të thellë. Sipas tij, drejtësia aktuale nuk është efikase dhe kjo duket qartë nga miliona proceset gjyqësore që zvarriten prej vitesh.

Të dielën, prokuroria e Agrixhentos nisi një hetim penal për ministrin e Brendshëm. Akuzat me të cilat ai mund të përballet, janë privimi i jashtëligjshëm i refugjatëve nga liria personale, pas urdhrit për të mos lejuar për 4 ditë më radhë zbarkimin në brigjet italiane të rreth 150 refugjatëve dhe emigrantëve afrikanë të shpëtuar nga mbytja në Mesdhe prej anijes “Diciotti”. 20 prej tyre do të strehohen në Shqipëri.

Pas kërkesës së Salvinit për reformë në sistemin italian të drejtësisë, opozita e akuzoi atë për presion ndaj hetimeve. Ndërsa aleati i tij në koalicionin qeverisës Luixhi di Maio, tha se puna e drejtësisë duhet respektuar.

Tv Klan