Raportim Live

Me 74 votat e PS, miratohet huaja prej 302 mln $ nga SHBA. PD e bojkoton

Vetëm me 74 votat e PS, Kuvendi miratoi marrëveshjen e huasë prej 302 mln $ nga SHBA për pajisje ushtarake.

Partia Socialiste kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura. Kërkesa u miratua me 74 vota pro të socialistëve, e asnjë abstenim.

download app

Peleshi vërejtje për marrjen e marrëveshjes konfidenciale, Shehaj: Jeni qesharakë

Në rinisjen e seancës plenare, kryeparlamentari Niko Peleshi i tërhoqi vëmendjen deputetit Agron Shehaj, lidhur me momentin kur ai mori marrëveshjen konfidenciale me huanë me SHBA-të.

Peleshi u shpreh se veprimi i Shehajt ishte kundër rregullores së brendshme të Kuvendit, por ndoshta edhe antiligjor.

“Vërejtja për një gjest jashtëzakonisht në kundërshtim me rregullat, mbase me ligjet, se Kuvendi i Shqipërisë është një institucion ku punon një administratë e nderuar. Ata kanë ardhur e ulen këtu për të mirën e përbashkët, për shtetin shqiptar, e nuk duhet të vendosen në situata të tilla dhe absurde”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Shehaj i cilësoi socialistët si “qesharakë”, teksa i akuzoi edhe për korrupsion.

“Jeni bërë qesharakë me këto marrëveshje. Mendoni se do të shpëtoni me këto marrëveshje me SHBA, duke u bërë qejfin SHBA-ve. Ju që vini këtu e shisni veten si pro-amerikanë, jeni një tufë të korruptuarish që vidhni popullin më të varfër në Evropë”, tha ai.

Rinis seanca plenare!

Shehaj tenton të marrë marrëveshjen konfidenciale

“Balla: Të arrestohet, SPAK të nisë hetimet”

Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u paraqit në sallën “Gerti Bogdani” për t’u njohur me detajet e marrëveshjes për huanë prej 302 milionë dollarësh mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara.

Në këtë video të publikuar nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, shihet Shehaj që largohet me vrap me dokumentin konfidencial nga salla që ishte vënë në dispozicion të deputetëve për t’u lexuar, një akt që për Ballën është në kundërshtim me ligjin.

“Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale”, tha Taulant Balla.

Por Shehaj thotë se marrëveshja nuk ka dalë jashtë ambienteve të Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit tha se mund ta gjeni tek zyra këtu afër, nuk tha se nuk mund ta merrni. Unë vajta, firmosa deklaratën për mosshpërndarje të marrëveshjes dhe u largova. Shumë e thjeshtë, kjo ka ndodhur. Marrëveshjen e dorëzova prapë në Kuvend, nuk ka dalë kurrë marrëveshja nga Kuvendi i Shqipërisë”, u shpreh Agron Shehaj…Lexo më shumë

Kuvendi ndërpret punimet, rikthehet pasdite në orën 15:00

Kuvendi ka ndërprerë punimet për pak orë për t’u rikthyer sërish pasditen e kësaj të hëne, pas shqyrtimit të huasë mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në komisionet parlamentare, hua kjo, e cila do shërbejë për blerje pajisjesh ushtarake.

Kjo marrëveshje u fut në rend dite me 75 vota pro me procedurë të përshpejtuar, ndërsa opozita u shpreh se nuk janë kundër marrëveshjes, por akuzoi mazhorancën, e cila sipas saj, nuk po respekton procedurat dhe rregullat kushtetuese.

Huaja 302 mln dollarë me SHBA-të, Berisha: Jemi pro kredisë, por nuk votojmë procedura antikushtetuse

Marrëveshja për kredinë 302 milionë dollarë nga SHBA-të për blerje pajisjesh ushtarake u fut në diskutime me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha e kundërshtoi këtë procedurë duke e cilësuar si antikushtetuese.

Kryedemokrati duke folur për mediat jashtë Kuvendit, tha se partia e tij është pro kredisë për mbrojtjen, por nuk do ta votojë atë nëse procedura nuk respekton Kushtetutën.

Ai akuzoi qeverinë se e ka sjellë marrëveshjen në Kuvend në minutën e fundit, me synimin për ta miratuar me çdo kusht përmes një procedure të përshpejtuar.

“ Kjo që ndodh sot në parlament brenda, ky është një akt tjetër i turpshëm i Edi Ramës, i cili një kredi të qeverisë së SHBA për qëllime mbrojtje, për çka PD është mirënjohëse, do me çdo kusht ta kalojë me procedurë jokushtetuese. Ka një përcaktim kushtetues, i cili nuk lejon votimin me procedurë të përshpejtuar pa një afat minimal njëjavor. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese para tre muajve ku konsideron votim jokushtetues votimin për Bordin e Paqes apo për një çështje tjetër. Por Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se Kushtetuta është një letër e vdekur për të, dhe se ky është një sundimtar që nuk ka ligj, as moral. Unë sot i shtroj një pyetje edhe Peleshit të tij, edhe Ramës: Pse në një akt të parë, zhdukët nga të gjitha institucionet e vendit, nga parlamenti, nga qeveria, flamurin e NATO-s. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në qoftë se ka një flamur tjetër që ajo duhet të shfaqë, është flamuri i NATO-s, i cili ishte në të gjitha institucionet. Në një akt të parë, në një nga urdhrat më të parë, ai urdhëroi të hiqej flamuri i NATO-s nga të gjitha institucionet. Edi Rama është personi i vetëm në Evropën ish-komuniste që ka organizuar protesta të egra kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dhe tani, i çekuilibruar totalisht, kërkon të dhunojë Kushtetutën dhe të paraqitet si flamurtar për plotësimin e buxhetit për NATO-n. E vërteta është që buxheti për NATO-n sot është 1.3 përqind. Ne nuk votojmë në procedura antikushtetuese në mënyrë absolute. Edhe njëherë, ne jemi pro kredisë dhe shprehim mirënjohje, por ne kërkojmë që kjo procedurë të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe jo qëndrimet, vullnetin e lig, antikushtetues të Edi Ramës“, tha mes tjerash Berisha.

Marrëveshja e huasë me SHBA-të, Kuvendi i jep “ok” procedurës së përshpejtuar të projektligjit

Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, hodhi në votim propozimin për miratimin e ligjit me procedurë të përshpejtuar për marrëveshjen e huasë 302 milionë dollarë mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

Kjo kërkesë u miratua me 75 vota pro, ndërsa Kuvendi do të rikthehet sërish sot në seancë, në orën 15:00 për miratimin e marrëveshjes.

“Asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk do ftohet të votojë këtë marrëveshje, pa u informuar dhe pa lexuar marrëveshjen.

Çdo deputet ka të drejtën dhe mundësinë të lexojë marrëveshjen, te salla “Gerti Bogdani”, ku është vënë në dispozicion marrëveshja për t’u lexuar, kundrejt firmosjes së një deklarate konfidencialiteti, sepse ky është niveli i klasifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Do ta hedhim në votim për miratim kërkesën për procedurë të përshpejtuar të projektligjit të mësipërm. Për këtë projektligj do të zhvillohet mbledhje e përbashkët e Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Komisionit për Ekonominë dhe Punësimin.

Seanca plenare do të caktohet më 27 korrik, në orën 15:00. Me 75 vota pro, kundër nuk ka, abstenim s’ka, atëherë kërkesa për procedurë të përshpejtuar miratohet”, tha ai.

Gazment Bardhi: Nuk kemi asgjë kundër marrëveshjes me SHBA në parim, do duhet ta lexojmë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u shpreh se demokratët nuk janë kundër marrëveshjes direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak me fond 302 milionë dollarë.

Ai fillimisht tha se PD do duhet të lexojë marrëveshjen, ndërsa akuzoi mazhorancën se marrëveshja nuk iu është vënë në dispozicion, siç e parashikon rregullorja.

Sipas tij, PD nuk pranon miratim të ligjeve që janë në kundërshtim të Kushtetutës.

“Marrëveshje 300 milion euro me SHBA për të blerë pajise ushtarake, të cilën e ripohoj, se ne nuk e disponojmë akoma. Nuk na është vënë në dispozicion siç rregullat e parlamentit e diktojnë, absolutisht është e mirëpritur, marrëveshja është e mirëpritur, sepse Shqipërisë i duhen marrëveshje të tilla.

Ne nuk kemi asgjë kundër marrëveshjes në parim, do duhet ta lexojmë për t’u shprehur në tërësi, sepse ndryshe nga ju, nuk jemi karton, sepse jemi betuar për të votuar me ndërgjegje dhe në mënyrën të informuar, por procedurë dhe miratim të ligjeve në kundërshtim të Kushtetutës ne nuk pranojmë kurrë‘, tha ai.

Marrëveshja me SHBA-të, Balla: Kjo konfirmon marrëdhëniet tona të shkëlqyera

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, nga Kuvendi u ndal te marrëveshja huasë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se Shqipëria mbështet planin e NATO, për ta çuar fondin për mbrotjen në 5% të PBB-së.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë. Një marrëveshje e veçantë për sigurinë kombëtare të vendit, një marrëveshje që konfirmon fuqizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera të Shqipërisë me aleatin e saj të madh, SHBA-të.

Kjo është një marrëveshje që shkon përtej termave financiarë, është një dëshmi konkrete e besimit që SHBA-të kanë ndaj Shqipërisë dhe rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ynë luan për sigurinë euroatlantike. Shqipëria mbështet objektivin e ri të NATO-s për të arritur në 5% të PBB-së për mbrojtjen dhe sigurinë, me PS-në në qeverisje deri në 2035, duke dëshmuar se mbrojtja dhe siguria janë prioritete tona strategjike“, tha ai.