Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Dhjetera forca të policisë si dhe gazetarë kanë pritur sot në Aeroportin e Rinasit, ardhjen e Shemsie Kadrisë, ish-boses së Gjallicës. Masat e rrepta të sigurisë dhe forcave speciale kanë vazhduar gjatë gjithë mesditës në Aeroportin e Rinasit. Lajmi i ekstradimit të Shemsie Kadrisë, e cila për dy vjet rresht strehohej në Turqi duke ju fshehur një mandat arresti për të nga Interpoli Shqiptar, ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e policisë dhe Interpolit që marrja në dorëzim dhe shoqërimi i saj të kryhej pa probleme.

Shemsie Kadria është arrestuar nga policia turke pas kërkesës së kolegeve shqiptare disa muaj më parë. Ekstradimi i saj në Shqipëri pritej prej kohësh. Drejtësia Shqiptare e kërkon Kadrinë për t’ju nënshtruar procesit gjyqësor me akuzën e drejtimit të kompanisë “Gjallica”, mashtrimi në shuma të mëdha dhe moskthimi i parave kreditorëve të saj.

Avioni që vinte nga Stambolli me Shemsie Kadrinë zbriti rreth orës 14 në Rinas. Masat e sigurisë në këtë moment shtohen akoma dhe më tepër. Pas hapjes së derës së avionit e para që zbret është Shemsie Kadria e shoqëruar nga agjentët e Interpolit. Pasi e hipën në makinë të blindur e shoqëruar nga shumë police dërgohet në Repartet e burgut 313 në Tiranë.

Shemsie Kadria është pronarja e katërt e piramidave shqiptare që arrestohet dhe i nënshtrohet gjyqit. Sudja po shtyn ditët e burgimit, Vehbi Alimuçaj edhe pse në arrest shtëpiak është nën proces, Mustafa Leka është arrestuar pak javë më parë dhe pret ti filloj gjyqi.

Ish-bossët e piramidave, përfshi këtu dhe ortaku i Kadrise, Fitim Gerxhalliu nuk ndodhet në Shqipëri dhe kërkohet nga Interpoli pasi nuk është në Shqipëri. Ndërkohë për Shemsie Kadrinë që sot fillojnë ditët e vështira të burgut dhe proceseve gjyqësore që do të vendosin mbi fatin e saj por edhe të mijra kreditorëve të Gjallicës./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj