Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Zona”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

E. M., 30 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike. Po në kuadër të operacionit u procedua në gjendje të lirë shtetasi M.P.

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve është marrë informacion në rrugë operative se shtetasi E. M. posedonte lëndë narkotike dhe merrej me shpërndarjen e saj në zonën e “Mysylm Shyrit”, Tiranë, të cilën ia shiste shtetasve të ndryshëm.

Mbi bazën e këtyre informacioneve, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe vijuar kontrollet në zonën e “Mysylm Shyrit”, ku mbrapa një karburanti kanë konstatuar shtetasin E. M., duke i shitur lëndë narkotike shtetasit M.P.

Në vijim të operacionit, pas kontrolleve të ushtruara Policia gjeti të fshehur në hyrje të një pallati një sasi dozash me lëndë narkotike si dhe po gjatë kontrollit të banesës gjeti edhe sasinë tjetër lënde narkotike gati për ta ndarë në doza gjithësej 720 gramë kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.