Zona e Bathores u trondit mbrëmë nga një shpërthim i fuqishëm me eksploziv që dyshohet se ka lidhje me konfliktin mes familjeve Daci dhe Kolaveri.

Shpërthimi dëmtoi fasadën e dyqanit në pronësi të familjes Daci, ambientet e brendshme të tij, por edhe lokalet e tjera për rreth. Sipas ekspertëvve, dyshohet se sasia e eksplozivit ka qenë më tepër se 200 gramë.

Policia ka shoqëruar katër persona nga familja Kolaveri, si të dyshuar, të cilët pas intervistimit janë lënë të lirë.

Kjo është hera e dytë që i vendoset eksploziv dyqanit të familjes Daci, ndërsa në një rast një granatë shpërtheu në oborrin e familjes së Gazmir Dacit. Në të gjitha rastet, familja Daci i ka lidhur sulmet me konfliktin e familjes Kolaveri, ndërsa këta të fundit në asnjë rast nuk kanë pranuar të jenë autorë të ngjarjes.

Konflikti ka nisur në Nëntor të vitit 2015, në Kamëz, pas një përplasjeje mes Valmir Kolaverit e Gazmir Dacit. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Valmir Kolaveri, si dhe u plagos rëndë Robert Kolaveri dhe Saimir Kolaveri.

Tv Klan