Një shqiptar i arrestuar në Greqi i është arratisur policisë greke në Athinë, teksa po transferohej nga gjykata drejt dhomave të paraburgimit në rajonin policor.

Bëhet fjalë për një 28-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Sipas mediave greke, shqiptari ishte arrestuar mëngjesin e sotëm, por nuk sqarohet motivi.

Në momentin që dolën nga gjykata dhe do të futeshin në automjetin e policisë, 28-vjeçari shtyu me forcë njëri prej efektivëve dhe mundi të largohej.

Një tjetër i arrestuar përfitoi nga situata dhe tentoi të largohej, por u kap. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për të gjetur dhe arrestuar shqiptarin e arratisur. /tvklan.al