Nikos Dendias: Me Shqipërinë marrëdhënie strategjike

Në një intervistë për gazetën e së dielës Real News, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias është pyetur midis të tjerash edhe për marrëveshjen e bërë me Shqipërinë për të çuar çështjen e delimitimit të kufijve detarë në Gjykatën e Hagës.

Sipas tij, ashtu si me marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, edhe në rastin e Shqipërisë, Greqia po provon në praktikë se mund të zgjidhë problemet, me busull tek e Drejta Ndërkombëtare, dialogu konstruktiv dhe parimi i zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.

Ne e dimë, thekson kryediplomati grek, mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe Shqipëria po punon në mënyrë që të jetë anëtare e familjes evropiane.

Dendias nënvizon se “pala greke ka rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku që të dorëzojmë çështjen e delimitimit të zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pas përfundimit të procesit të zgjerimit të ujërave territoriale në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar të Detit”.

Ai parashikon se për sa kohë që ka vullnet, procesi nuk do të jetë problem dhe se Greqia po krijon një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe se pala shqiptare është shumë pozitive në një drejtim të tillë.

Klan Plus