Ky është shqiptari Zulfi Hoxha, i cili është një prej drejtuesve të rinj më të lartë të organizatës terroriste Shteti Islamik. Revista amerikane “The Atlantik” i ka kushtuar atij një reportazh të gjatë.

I njohur me nofkën “Abu Hamza al-Amriki”, terroristi shqiptar mendohet të jetë 27 vjeç. Në opinionin publik amerikan, ai u bë i famshëm përmes një video videomesazhi të publikuar në maj 2017, ku u bë i pari terrorist amerikan që ekzekutonte një peng të Shtetit Islamik me prerje koke.

Në videon 45 minutëshe regjistruar në Irak bëhej thirrje që myslimanët në të gjithë botën të ndërmerrnin sulme terroriste kundër të pa-feve, duke i therur ata me thika, e duke i vrarë me autobomba e me shpërthime nëpër ndërtesa.

“The Atlantic” shkruan se Hoxha është djali i një emigranti shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Babai i tij është pronar i një picerie në Nju Xhersi. Kohët e fundit, ai ka marrë rol drejtues në organizatën terroriste dhe është një prej personave që merret me rekrutimin e militantëve të rinj për Shtetin Islamik. Për këto arsye konsiderohet edhe si një prej terroristëve më të kërkuar nga drejtësia amerikane.

Abu Hamza al-Amriki u largua nga territori amerikan në prill të 2015-ës, drejt kampeve të xhihadistëve në Irak e Siri. Atlantic shkruan se është e paqartë se si Hoxha është ngritur kaq shpejtë në hierarkinë komanduese të ISIS, por kjo mund të ketë ndodhur prej mbresave që u ka lënë komandantëve të tij nga brutaliteti dhe dhuna e shfaqur.

Tv Klan