Qefalia: Është e domosdoshme pas rritjes së kriminalitetit, do të bëhet në Shtator 

Amnistia për dorëzimin e armëve pa leje e cila ishte planifikuar të niste pas zgjedhjeve parlamentare, është shtyrë për në muajin Shtator. Strategjia e krijuar nga Policia e Shtetit kërkon që të votohet nga një shumicë deputetesh, ndaj pritet të kryhet kur Kuvendi i ri të nisë punimet.

Do jetë në interes kuptohet kur merret masë për një amnisti nuk është se kërkohet një numër i thjeshtë votash në Kuvend, kërkohet një numër më i madh se ç’është vetë mazhoranca, kështu që besoj do mbetet si një kërkesë që mund të vijë edhe në legjislaturën tjetër”, tha deputeti Xhemal Qefalia.

Sipas deputetit Xhemal Qefalia, i cili ka propozuar edhe më herët nisjen e një amnistie, është e domosdoshme për shkak të numrit të lartë të ngjarjeve kriminale.

 “Nisur nga fakti që edhe kohët e fundit ka pasur ngjarje të rënda të cilat vijnë si rezultat i përdorimit të armëve, është një tjetër tregues që amnistia është e nevojshme”.

Kjo do të jetë amnistia e katërt në Shqipëri pas trazirave të ’97. Amnistia e parë për dorëzimi e armëve u realizua në 1998 deri në 2002. Më pas u miratua një tjetër amnisti në vitin 2003. Ky ligj qëndroi në fuqi deri në vitin 2005. Ndërsa amnistia e tretë u zbatua gjatë vitit 2017 ku u dorëzuan afro 1.600 armë zjarri dhe një sasi e madhe municionesh luftarake. Sipas burimeve policore mësohet se në 10 vrasje të kryera, 9 janë të realizuara me armët e vjedhura në vitin ’97.

Klan News