Gjykata: Dyshohet se burojnë nga aktivitete kriminale

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, gjykata e posaçme e shkallës së parë ka vendosur të sekuestrojë të gjitha pasuritë e pronarit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqit.

Bëhet fjalë për 26 pasuri, përfshire dy televizionet, Ora dhe Channel One, disa kompani dhe pasuri të patundshme, si truall, apartamente, biznese, toke e makina.

SPAK, bëri të ditur përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë në media, se është konfirmuar që ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicie se shtetasi Ylli Ndroqi, i njohur edhe me emrin Xhemail Pasmaçiu, ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në ligjin Antimafia.

SPAK sqaron se me 2 Shtator të vitit 1998, nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″ për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu.

Nga krahasimi i gjurmëve daktiloskopike të që i janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali, SPAK thotë se është konfirmuar që shtetasi Ylli Bahri Ndroqi, i datëlindjes 11.03.1965 është i njëjti person me Xhemail Pasmaçiu, i arrestuar në Turqi.

Po ashtu, SPAK sqaron se autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17 shkurt 2015 bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

SPAK thotë se Ylli Ndroqi dhe familjaret e tij kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Duke nënvizuar se ka arsye të bazuara për të besuar se ekziston rreziku i humbjes së pasurive apo transferimi i tyre te persona të tjerë për të bërë të pamundur konfiskimin e tyre, SPAK njofton se gjykata e posaçme vendosi që më datë 1 Gusht, që të gjitha pronat dhe aktivitetet e tij, në total 26, të sekuestohen.

Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të mësipërme gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. SPAK sqaron se shoqëritë që kanë aktivitet, përfshirë dhe mediat televizive, do vazhdojnë aktivitetin e tyre, por të administruara nga kjo agjenci.

Tv Klan