Opozita, e shqetësuar për rrjedhje votash për “Zgjedhoren”

Shembja e Teatrit Kombëtar është bërë objekt diskutimi dhe në Parlament. Politikanëve që janë kundër projektit, zëdhënësja e qeverise, Elisa Spiropali, u përgjigj duke i quajtur si të metë.

Elisa Spiropali: “Ata nuk janë as politikanë, as korifej të teatrit, janë disa politikanë që janë tallur me teatrin. Ndërsa ata s’janë artistë, janë ca trushkulur. Të jeni të sigurt se teatri i ri do ngrihet aty ku është ky sot”.

Rudina Hajdari: “T’ju vijë turp që ofendoni artistët e Shqipërisë”.

Nga opozita reagoi vetëm Rudina Hajdari.

“Tërhiquni nga vendimi për teatrin se është e shenjtë dhe duhet ruajtur”.

Të tjerët nuk i kushtuan rëndësi kësaj çështje.

Por debatet më të ashpra i ngjalli Reforma Zgjedhore. Në radhët e opozitës parlamentare ka shqetësim se do të rrjedhin votat pro marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës jashtë Parlamentit.

Rudina Hajdari, që u shkarkua nga kryetare e grupit të demokratëve me argumentin se ajo s’ka qenë transparente mbi diskutimet në Këshillin Politik, tha se nuk do ta jepte votën nëse nuk ndryshon sistemi.

Mos bëni opozitë duke dashur llokma. Unë nuk bëhem kurrë pjesë e asaj opozite. Politika është për të dhënë shpresë. Politika është ndryshe. Sot ne duhet ta bëjmë këtë gjë, ta çojmë këtë mision deri në fund, të ndryshojmë sistemin zgjedhor. Është e rëndësishme që në këtë parlament të vijnë njerëz që përfaqësojnë qytetarin dhe jo biznesmenin. Nuk do jem kurrë mashtruese në këtë vend. Nuk do dal me asnjë qindarkë më shumë nga ky vend”. 

Myslim Murrizi që është propozuar në vend të Hajdarit dhe Ralf Gjoni, u thanë kolegëve të tyre në opozitë se do të verifikojnë çdo pazar të mundshëm mes tyre dhe mazhorancës.

Këshilli politik i vlerësoi si të pamundura propozimet e ardhura nga opozita për ndryshimin e sistemit, pasi kërkojnë ndryshime kushtetuese.

Tv Klan