Rama po minon të ardhmen e vendit për interesa personale

Akt tinëzar e antikushtetues e ka cilësuar koalicioni opozitar vendimin e maxhorancës për ndryshimet kushtetuese që i hap rrugë listave të hapura në zgjedhje dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, opozita e bashkuar sqaron se ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit janë tagër vetëm i qytetarëve.

“Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës”.

Sipas opozitës së bashkuar, tentativa e Kryeministrit për të prishur marrëveshjen e 5 Qershorit, të dakordësuar nga partnerët ndërkombëtarë është përgjegjësi personale e Edi Ramës duke minuar të ardhmen europiane të vendit.

“Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinëzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe  shoqëror të vendit”.

Për ndryshimet e fundit në Kushtetutë ka reaguar edhe Presidenti Meta me anë të zëdhënësit të tij. Kreu i shtetit thotë se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë pas djegies së mandateve nga opozita.

Sipas Metës, procesi i zëvendësimit të deputetëve ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor. Presidenti thotë se është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë pasi e ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme dhe se të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!

Tv Klan