Librat shkollorë, reklama e Ramës dhe mungesat në treg.

Një ditë më parë kryeministri Rama dhe ministrja e arsimit Nikolla ishin në një familja në Tiranë, ku dorëzuan librat falas për dy fëmijët e familjes. Edhe pse me regji e staf propagande, as Rama dhe as Nikolla nuk i dinin në cfarë klase ishin fëmijët e cfarë librash kishin sjellë për ta. Nga ana tjetër gazetarët e emisionit “Stop” kanë vëzhguar sot në të gjithë Tiranën libraritë, që shpërndajnë tekste shkollorë. Rradhë të gjata e pritje për prindërit dhe mungesa librash, ishte ajo, që u konstatua nga vëzhgimi ynë.

Fabrika e asfaltit në Pezë-Helmas rrezik për banorët e ambientin.

Disa muaj më parë emisioni “Stop” trajtoi problematikën e ndotjes që krijonte fabrika e asfaltit në Allias. Pranë kësaj fabrike ndodhet shkolla 9-vjeçare “Ardian Klosi”, një shtëpi për të moshuarit, një shkollë për fëmijët me aftësi të kufizuara, një qendër shëndetësore dhe shumë shtëpi.

Banorët e zonës u ankuan në emisionin “Stop”, pasi shëndeti i tyre ndodhej në rrezik nga tymi dhe ndotja e fabrikës, që nuk ndalte punën as ditën e as natën.

Më 24 Janar 2018 drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes, Elton Kacidhja i premtoi emisionit “Stop” se në muajin Shkurt kjo fabrikë do të zhvendosej nga zona e populluar.

Sipas tij, fabrika do të transferohej në një vend të përshtatshëm, ku nuk do të ndoteshin as njerëzit dhe as ambienti përreth.

“Ne momentalisht po punojmë për montimin e nyjës së re dhe për pjesën e dokumentacionit, që nyja të jetë e certifikuar me një raport vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe me një licencë për kryerjen e asaj veprimtarie. Pra, do të jetë sipas parametrave, standardeve dhe procedurave ligjore që parashikon shteti shqiptar”, u shpreh asokohe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes.

Më pas lokacioni u mbajt i fshehtë, por emisioni “Stop” e zbuloi shumë shpejtë. Tanimë fabrika është zhvendosur në Pezë-Helmas.

Banorët e zonës fillimisht e pritën vendosjen e impiantit si një investim të madh, për shkak të një ngatërrese. Më parë iu premtua se aty do të ndërtohej një kënd lojërash. Sot banorët ankohen për ndotjen që u shkakton fabrika.

Njëri prej tyre tha: “Në fillim na thanë që po na sjellin disa lodra për fëmijë. Pas 2-3 ditësh pamë që ngritën këtë fabrikën, por nuk u interesuam sepse një investim do të thotë mirëqenie. Kur e vunë në punë këtë fabrikë u mbush vendi plot me mjegull, një erë që nuk durohej”.

Ndërsa një tjetër u shpreh: “Këtu nuk jetohet më. Ose të na heqin ne si banorë, ose bashkia të marrë masa që këtë fabrikë ta “shporrë” dhe t’i gjejë një vend sa më të përshtatshëm, ku nuk banojnë njerëz!”.

Një banor i zonës shtoi: “Nga vetë emri Pezë-Helmas, kjo është një zonë shumë e ndotur, që ajrin e kishim falas, por na e mori shteti. Shumë faleminderit nga të gjithë!”

Ata treguan se kanë protestuar për heqjen e kësaj fabrike që po shkatërron shëndetin e tyre dhe të fëmijëve dhe se tanimë do të ndjekin rrugën ligjore, duke u shprehur: “Këtë nuk do ta falim!”

Pranë fabrikës së asfaltimit dhe betonit ndodhen edhe sera me fruta-perime, të cilat më pas serviren në tavolinat tona, si dhe një shkollë 9-vjeçare.

“Kur dal në pushimin e gjatë nuk ha dot bukë nga tymi i keq. Ne kërkojmë të hiqet”, u shpreh një fëmijë. Ndërsa një tjetër u ankua se kanë edhe dhimbje koke nga kjo ndotje.

Eksperti i mjedisit Sazan Guri, që ka bërë ekspertizën, doli në konkluzionin se ndotja është tepër e lartë sepse ka metale të rënda, si dioksina dhe furani, që ndikojnë në ajër, ujë, mjedis dhe bimësi dhe si rrjedhojë në shëndetin e njerëzve.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i banorëve, Altin Goxhaj tha se juristët e bashkisë kanë gënjyer në sallën e gjyqit, pasi pretenduan se kishin një leje për prodhimin e asfaltit. “Leja thotë tekstualisht: Nuk lejohet prodhimi i asfaltit!”, u shpreh ai.

Sazan Guri i bëri thirrje kryetarit të bashkisë që të mendohet mirë para se të bëjë një vepër të gabuar.

Turizmi, hiqet taksa arbitrare e koncensionarit Konkord Investment.

Në mes të sezonit turistik agjencitë detare në Sarandë u përballën me një surprizë të pakëndshme. Kryetari i Shoqatës së Agjencive Detare, Ben Çipa shpjegoi sesi funksionon ky aktivitet dhe përshëndeti vendimin e qeverisë për heqjen e akcizës për karburantin e anijeve të ndryshme detare.

Në muajin maj shoqëria “Konkord Invest” mori me koncension gjysmën e Portit të Limionit. Pas kësaj, në mënyrë arbitrare, vuri një taksë me vlerë 0.06 cent për litër karburant, duke ua ngarkuar pagesën agjencive detare.

Kjo shoqëri shkeli kontratën, çka penalizon hyrjen e jahteve dhe mjeteve të tjera lundruese në Sarandë. Një jaht furnizohet me 40,000 litra karburant, çka do të thotë se duhet të paguajë 2,400 euro ekstra koncesionarit.

Çipa theksoi: “Ne jemi ndërmjetës, nuk jemi furnitorë në lidhje me karburantin. Ne jemi ndërmjetës dhe marrim përsipër pjesën e menaxhimit të agjencive detare. Pra, nuk na takon neve kjo pjesë”.

Një prej agjencive detare më serioze në botë, nëpërmjet një email-i, ka shprehur zhgënjimin për këtë taksë. Sete Yacht Management SA u shpreh se vendosja e kësaj tarife ka frenuar ndjeshëm interesimin e madh të jahteve të huaja për t’u furnizuar me karburant në Portin e Sarandës.

Largimin e disa jahteve për shkak të taksës së vendosur nga koncesionari e pohoi edhe kryetari i Shoqatës së Agjencive Detare. Emisioni “Stop” vuri në dijeni për këtë ministrinë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Porteve, Paulin Ndreu deklaroi zgjidhjen e situatës.

“Duke u njohur me këtë lloj situate, ne erdhëm dje dhe me shkresë të veçantë i kemi kërkuar autoritetit lirimin e vullnetshëm të sigurisë së portit dhe nxjerrjen jashtë të këtyre personave që janë të paautorizuar dhe të palicensuar. Tarifat i miraton Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nuk e ka të drejtë asnjë lloj koncesionari, autoriteti apo asnjë lloj operatori të vendosë tarifa ose taksa mbi autoritete apo operatorë”.

Ai gjithashtu theksoi se kalada e portit të Limionit është në pronësi të Portit Detar të Sarandës dhe koncesionari nuk ka asnjë të drejtë për të ushtruar kompetenca mbi të.

“Koncesionari pretendon se rruga, ku kalojnë këta operatorë i është dhënë asaj në përdorim dhe për këtë arsye ata mund të tarifojnë”.

Ndaj shoqërisë “Konkord Invest” ka nisur një çështje penale dhe Drejtori i Përgjithshëm i Porteve theksoi se nëse do të ketë sërish shkelje ndaj portit, duke cënuar sigurinë e tij, do të vijojnë me denoncimet në organet kompetente.