Një grup studiuesish në një spital të Izraelit thonë se doza e katërt e vaksinës kundër Covid-19 nuk ndihmon për të shmangur infektimin  nga varianti Omicron. Mjekët e spitalit ‘Sheba’ thanë se u dhanë një dozë të katërt të vaksinës Pfizer-BioNtech ose të  Moderna, 274 punonjësve të sistemit shëndetësor. Ata zbuluan se megjithëse doza  përforcuese rriste nivelin e antitrupave, vaksina  nuk e parandalonte përhapjen e Omicron-it.

Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë thanë se ky informacion do të merret në konsideratë për të vendosur nëse programi i imunizimit të popullatës do të zgjerohet duke shtuar një tjetër dozë. Gjetjet, për të cilat spitali tha se janë  të parat e këtij lloji në botë, janë paraprake dhe nuk janë publikuar ende.

Izraeli vendi më i shpejtë në vaksinimin kundër Covid-19 të popullatës  filloi  të ofronte muajin e kaluar dozën e katërt  për personat mbi 60 vjeç.

Klan News