Elseid Hysaj me këngën e tij “Bella Ciao” ka shkaktuar një rrëmujë të madhe në Itali. Kënga e njohur me motive partizane e kënduar nga mbrojtësi kuqezi nuk u pëlqye nga një pjesë e ultrasve lacialë, të cilët me në një banderolë të madhe të hapur në një urë të Romës, e quajtën Hysajn “një krimb”.

Por reagimi i tifozëve të tjerë lacialë, figurave të njohura në vend ishte i menjëhershëm në mbrojtje të shqiptarit. Presidenti i Parlamentit Europian, David Sasoli e quajti reagimin e ultrasve të turpshëm.

Në Facebook, ai shkroi se kjo mungesë tolerance nuk duhet të ketë vend në sport.

“Solidariteti im me futbollistin shqiptar të Lazio, Elseid Hysaj, i sulmuar nga ultrasit fanatikë, i quajtur ‘krimb’ vetëm pse këndoi ‘Bella Ciao’. Kohët e fundit jemi mburrur me triumfin e bukur italian në Europian, ndaj është për të ardhur keq që ta prishim këtë atmosferë festive me shfaqje të intolerancës, që nuk duhet të kenë kurrë shtetësi në botën e sportit ose diku tjetër”.

Edhe klubi i Lacios në një komunikatë për shtyp e mbrojti lojtarin kuqezi dhe dënoi banderolën. Reagimi zyrtar i bardhë e kaltërve është se kurrë nuk do të jenë në anë të atyre që mohojnë vlerat e sportit. Në rrjete sociale janë me mijëra tifozët të cilët i dalin në krah Hysajt me hashtagun “unë jam me Hysajn”.

Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, reagoi në lidhje me situatën e paprecedentë të krijuar së fundmi nga tifozët fashistë të Lacios. Ai i shprehu mbështetjen kapitenit të Shqipërisë.

Klan News