Dy persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës pranë zonës së ish-Fermentimit.

Të plagosurit janë dy të rinj, Erison Gjeka dhe Ndue Mali, të dy 24 vjeç, të cilët po udhëtonin me motor. Ata ndodhen në spital ku po marrin trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut.

Burimet spitalore thonë se dy të rinjtë janë plagosur në këmbë, ndërsa sipas informacioneve policore, ata kishin shkuar vetë në spital. Më pas, mjekët pasi kishin konstatuar plagë arme lajmëruan sallën operative të policisë.

Janë të paqarta rrethanat se si kanë mbetur të plagosur, megjithatë do të merren në pyetje nga policia.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore dhe FNSH, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës, si dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore.

Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes nuk janë të qarta. Grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur këtë plagosje. Paraprakisht dyshohet që ngjarja të ketë si pasojë e një sherri për motive të dobëta me persona të tjerë.

Njoftimi paraprak i Policisë së Shkodrës:

Në lagjen Skënderbeg, Shkodër, në afërsi të ish-Fermentimit të duhanit, rreth orës 20:10, në rrethana ende të paqarta janë plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasit E. Gj., 24 vjeç dhe N. P., 24 vjeç, të cilët janë transportuar në Spital ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore të DVP Shkodër dhe FNSH. Është rrethuar në një perimtër të gjerë zona ku ka ndodhur ngjarja dhe vijon krehja e saj nga shërbimet e Policisë Shkodër dhe të FNSH-së. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje dhe vijojnë kontrollet në të gjithë zonën. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e  autorëve. / tvklan.al