Detaje të reja kanë dalë nga operacioni “Tempulli 3”, i finalizuar të enjten nga Antidroga e Tiranës.

Për të kryer veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, grupi përdorte një numër celulari. Ky numër shërbente për të kryer porosi njëlloj si në një call center.

Në një dhomë në Laprakë qëndronin të paktën 3 persona që shërbenin si operatorë në 24 orë. Anëtarët e grupit komunikonin dhe përmes aplikacionit Signal.

Pasi merrnin porosinë, dozat e drogës shkonin te klienti me taksi. Shoferët e këtyre mjeteve kryenin njëkohësisht dhe transportin e qytetarëve, por dhe shpërndanin lëndën narkotike. Policia ka arritur të zbulojë 3 drejtues taksie të cilët u vunë në pranga.

Droga ruhej në shtëpi me qira që ishin marrë nga organizatorët e trafikut. Ata operonin kryesisht në zonën e “Laprakës” dhe “Xhamllikut”, kryesisht pranë shkollave dhe në lokalet e natës. Furnizues të këtij grupi ishin Ervis Gorellari dhe Fatjon Cici të arrestuar në shkurt të këtij viti në “Astir” dhe Enea Sulejmani, Igli Begaj e Shkëlqim Osteni të cilët u arrestuan në 22 Mars në një operacion në rrugën e “Kavajës”.

Gjatë operacionit të koduar Tempulli 3, u prangosën 20 persona, 5 të akuzuarve iu komunikua masa në burg ndërsa 10 të tjerë janë ende në kërkim. U sekuestruan  3.5 kg kokainë, 50 doza heroinë, 100 doza kanabis, 27 telefona dhe 5 automjete

Gjatë dy fazave të para të operacionit Tempulli dhe aksioneve të tjera kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në kuadër të këtyre hetimeve, u arrestuan nga policia 1100 persona.

Klan News