3.5 kilogramët e kokainës së sekuestruara nga Policia e Tiranës në operacionin “Tempulli 3” ku në pranga ranë 20 persona dhe 10 të tjerë u shpallën në kërkim kanë rezultuar të një cilësie tejet të lartë.

Nga ekzaminimet e kryera ekspertët kanë dalë në përfundimin se ajo është mbi 90% e pastër. Kjo cilësi ka bërë që grupi të kishte fitime të konsiderueshme nga tregtimi i lëndës narkotike në kryeqytet, ku sipas burimeve mësohet se shisnin deri në 100 doza kokainë në ditë.

Për shitjen e saj, personat e vënë në pranga dhe ata të shpallur në kërkim përdornin kode. Kështu kokainës i referoheshin me fjalët “bora-bora” ndërsa heroinës me “pluhur i kuq”.

Lapraka dhe Xhamlliku ishin kryesisht zonat ku operonte grupi, furnizuesit e të cilit u vunë në pranga nga Policia e Tiranës pak muaj më parë.

Si pjesë e hetimit 4 mujor për finalizimin e këtij operacioni ishte dhe identifikimi i agjentit të operacionales, Ervis Shkurta që dyshohet se ndihmonte të arrestuarit në sigurimin e lëndës narkotike, të llojit kokainë.

Tv Klan