Ardhja e deputetëve të opozitës që shmangu djegien e mandateve të tyre pas afro 6 muajsh bojkot, ka rikthyer tensionin dhe bllokimin e seancës plenare. Si shkëndije fillestare shërbeu kërkesa e socialistëve për të futur në rendin e ditës miratimin e draftit të përgatitur prej saj për reformën zgjedhore.

Veç refuzimit për këtë propozim nga Basha, përfaqësuesit e qeverisë morën dhe një lumë akuzash e etiketimesh fyese. Kërkesa e Ballës u rrëzua, por mes tij dhe kryedemokratit pati dhe një tjetër përplasje verbale larg mikrofonit.

Tensioni arriti kulmin kur Kryeministri mori fjalën për të folur për dekretin e Presidentit që riktheu buxhetin e shtetit në Kuvend për t’u përfshirë në kërkesat e studentëve për rritje të buxhetit për arsimin. Ai nuk mundi të lexojë as dy fjali, pasi deputeti demokrat Endri Hasa e goditi me vezë.

Ky veprim i kushtoi Hasës 10 ditë përjashtim nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare. Ish-Kryeministri Berisha me ironi zbulon origjinën e vezëve që u përdorën për të goditur Kryeministrin.

Por ndryshe nga Berisha, kreu i deputetëve socialistë Taulant Balla publikoi pamjet duke thënë se vezët, deputetit Hasa ia dha vetë Lulzim Basha.

Por Hasa nuk ka pranuar të lërë sallën, edhe pse seanca rinisi dhe u ndërpre plot 5 herë. Demokratët kërkuan që dhe ndaj Kryeministrit të ndërmerrej masë disiplonore për fyerje të deputetëve të opozitës, por të njëjtën kërkesë kanë bërë dhe socialistët për Lulzim Bashën.

Me rinisjen e seancës në orën 18:00 të pasdites, socialistët nuk u mjaftuan vetëm me përjashtimin e demokratit Hasa nga punimet e Parlamentit për 10 ditë.

“Do të depozitojmë kallëzim penal që është për shpërdorim detyre, qoftë për goditje për shkak të detyrës”

, u shpreh Taulant Balla.

Lulzim Basha e përqëndroi fjalimin e tij tek buxheti i arsimit duke vijuar me akuzat ndaj kundërshtarit të tij politik. Ndërsa ish-Kryeministri Berisha kërkoi praninë në sallë të Kryeministrit Rama.

Tv Klan