05 tetor 2026- Pas disa orësh diskutime dhe përplasje mes PS dhe PD, socialistët kanë miratuar në Komisionin e Ligjeve me 8 vota pro projektligjin për hartën e re territoriale. Ndërkohë opozita braktisi sallën dhe nuk votoi.
Kjo reformë është kundërshtuar vazhdimisht nga Partia Demokratike me argumentin se nuk po mbrohen interesat qytetare, por ato elektorale.
Më herët, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes së grupit, tha se të enjten, në seancën plenare, Kuvendi i Shqipërisë do të votojë miratimin e reformës Territoriale.
Ai theksoi se kjo reformë është e domosdoshme për vendin në kuadër të procesit integrues në BE, pavarësisht pretendimeve për cenim të disa interesave lokale.
Sipas tij, Shqipërisë i duhen bashki më të forta dhe të afta për të përthithur më shumë fonde nga Bashkimi Evropian.
“Vendimi politik i Grupit Parlamentar është që sapo të përmbyllet puna në komisionin përgjegjës, atë të Ligjeve, ky projektligj të kalojë në seancën plenare. Puna duhet të vazhdojë me intensitet në Komisionin e Ligjeve, sot dhe nesër maksimalisht, për t’iu përmbajtur afatit për votimin në seancën plenare të datës 8 tetor. Grupi Parlamentar i PS-së do të votojë pro. Na duhen bashki më të forta për të garantuar shërbime për komunitetin, por na duhen bashki të forta për të qenë konkurruese për përthithjen e fondeve të BE-së”, tha ai.
Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë dalë kundër propozimit për reformën e re territoriale me 46 bashki.
I pyetur nga gazetarët për këtë qëndrim, Balla tha se në mbledhje grupi ka pasur raste në të kaluarën që deputetë kanë votuar kundër, por në votimin e dytë, që është vendim politik në Kuvend la të kuptohet se deputetët mund të ndryshojnë qëndrim.
“Jo sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit ka raste që deputetët kanë mendimet e tyre, votojnë edhe kundër, por në fund është votimi tjetër që pason, që është votimi politik.
Të gjithë deputetët duhet ta dinë se si të ecim përpara në këtë proces. Javës tjetër kemi Konferencën e radhës Ndërqeveritare me BE, që mbyllim edhe një kapitull tjetër. Ky është ndërgjegjësimi politik”, tha ai.
Diskutimet për “Territorialen” në Komisionin e Ligjeve
Partia Demokratike vazhdon të kundërshtojë me këmbëngulje qasjen që po ndjek Partia Socialiste në lidhje me reformën territoriale.
Në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e PD-së i kërkuan PS-së të pyesin njerëzit dhe jo të vendosin bazuar në interesat e tyre elektorale.
“Po u bëni njerëzve një të padrejtë. Unë e di që ju do e miratoni, do e kaloni, por kjo nuk ka bazë logjike. Demokracia është përfaqësim, pyesin njerëzit”, tha Tomor Alizoti.
Deputeti i PD, Eno Bozdo, u shpreh se dëgjesat me njerëzit nuk janë reale dhe kjo cenon drejtpërdrejt interesat e qytetarëve.
“Jeni ende në kohë, ndërpriteni këtë procedurë, jepuni mundësi palëve që të vijnë me propozimet e tyre. Dëgjesat duhet të jenë reale për të prodhuar hartën më të mirën të mundshme dhe për të korrigjuar atë “masakrën” që u bë me ndryshimet në vitin 2015”, tha Eno Bozdo.
/tvklan.al












Botërori 2026 