sulmi

Një masakër me thika, hanxharë e pistoleta në një sinagogë në lagjen Har Nof të Jeruzalemit Perëndimor i mori jetën 4 besimtarëve hebrenj, gjatë faljes së mëngjesit.

Autorë janë 2 palestinezë, banorë të pjesës lindore të qytetit të shenjtë. Ata u ekzekutuan gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat izraelite të sigurisë. Plagë morën edhe 8 të tjerë.

Izraelitët e vrarë ishin me dy shtetësi. 3 prej tyre kishin edhe pasaporta amerikane, ndërsa i katërti britanike. Një akt terrorist e konsideroi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu këtë ngjarje, të nxitur sipas tij nga Presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas dhe lëvizja ekstremiste HAMAS. Netanjahu paralajmëroi kundërpërgjigje të ashpër.

Për HAMAS, ky ishte një akt heroik, hakmarrje për shoferin palestinez të një urbani, që u gjet i varur një ditë më parë në mjetin që drejtonte. Por ndryshe nga HAMAS, udhëheqësi palestinez Abas dënoi ashpër sulmin, duke u shprehur se vrasja e çdo individi ishte e papranueshme.

Sulmi u dënua nga perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara, që i shohin me shqetësim situatën në Jeruzalem. Tensionet u rritën pas vendimit të Tel Avivit për vendosjen e kolonëve izraelitë Jeruzalemin Lindor të populluar nga palestinezët.

Kohët e fundit, hebrenjtë ultra-ortodoksë janë përplasur vazhdimisht me myslimanët, teksa duan të rifitojnë të drejtën e mohuar prej vitesh të faljes në Malin e Tempullit, ku ndodhet edhe xhamia Al-Aksa, vendi i tretë i shenjtë për botën islame.

Tv Klan