Takon Kryetaren e Komisionit të Zgjedhjeve

Ndonëse nuk i ka ftuar ende partitë politike për konsultim pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se do të shterojë të gjitha mundësitë që të gjendet një përgjigje për realitetin e ri politik në Kosovë.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpall menjëherë zgjedhjet e reja”, thuhet në komunikatën e Presidentit Thaçi.

Ai ka takuar kryetaren e KQZ-së Valdete Dakën me të cilën diskutuan për afatet kushtetuese për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe buxhetin.

“U diskutua për afatet kushtetuese në qoftë se mbahen zgjedhjet. Ato janë çështje që diskutohen pasi të shpallen zgjedhjet. Nëse shpallen KQZ-ja kërkon mjetet e nevojshme nga qeveria dhe vendoset për buxhet sepse ky muaj ka qenë vit zgjedhor dhe nuk e kemi pas buxhetin e nevojshëm”.

Daka tha se nuk është folur për datën e zgjedhjeve, ndërsa pas dorëheqjes së Haradinajt të gjitha partitë janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme e kundër një qeverie teknike.

Tv Klan