Nga qendra në periferi, Tirana vijon të jetë e mbushur me plehra, në rrugë kryesore dhe nëpër lagje. Këto pamje që po shihni janë në unazën e vogël të Tiranës. Kazanët e mbushur plot qëndrojnë kështu edhe me ditë pa u pastruar.
“Këtu është edhe tregu, mbushen shumë shpejt. Duhen pastruar më shpesh”, thotë një qytetare.
Situata bëhet më e rëndë në brendësi të lagjeve. Siç duket në këto pamje, në këtë rrugë të zonës së Freskut, një nga më të populluarat në kryeqytet, mbetjet kanë mbuluar trotuaret. Për banorët, jetesa në këtë gjendje është bërë e papërballueshme.
“Ta qelb era, mikrob i gjallë, miza”, shton një qytetare.
“Mizerje është. Unë i kam poshtë dritares”, vijon një tjetër.
Të kërkosh zgjidhje në Bashkinë e Tiranës duket një mision i pamundur.
“Te plehrat e kam shtëpinë. Kam shkuar të ankohem, askush nuk vjen. Është erë e rëndë shumë”, thotë një tjetër qytetar.
Në një qytet që zgjerohet dhe pret çdo ditë mijëra turistë, këto pamje bien ndesh me imazhin e kryeqendrës së një vendi që synon integrimin e shpejtë në Bashkimin Europian. Bashkia e Tiranës i paguan 22 milionë euro në vit kompanisë “Eco Tirana” për menaxhimin e mbetjeve, por situata sa vjen e përkeqësohet.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 