Veliaj pret ministrin Aleksandër Kamyshin

Si kryesuese e Presidencës B-40, rrjetit më të madh të bashkive në rajonin e Ballkanit, Tirana do të ndihmojë në rindërtimin e qyteteve të Ukrainës të dëmtuara nga agresioni rus.

Deklarata u bë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një takim me ministrin ukrainas për Industritë Strategjike, Aleksander Kamyshin, me të cilin diskutoi mbi përdorimin me eficencë të financave.

“Përvoja që kemi me rindërtimin pas tërmetit është një eksperiencë për të ndihmuar qytetet se si të planifikojnë më shpejt, si të përdorin financat me efiçencë. Do ishim shumë të lumtur që ato punë të planifikimit që kemi nisur në Irpin dhe në disa qytete të tjera, bashkë me Stefano Boerin dhe disa arkitektë, për rindërtimin e qyteteve, mund të jetë që fatkeqësinë e luftës dhe shkatërrimit ta kthejmë në një mundësi për prosperitet dhe urbanizim modern.”

Më herët, Bashkia e Tiranës ka kontribuar për ndërtimin e një shkolle të re në qytetin e Kharkivit të shkatërruar nga lufta,

“Tirana është qytet simotër me qytetin e Karkivit, ku ne kemi sponsorizuar ndërtimin e një shkolle. Por, ashtu siç kryeministri Rama dhe presidenti Zelensky po koordinojnë përpjekjen diplomatike dhe ushtarake, unë besoj se ne mund të bëjmë më shumë në përpjekjen për rikonstruksion, qoftë për vendstrehimet, qoftë për shkolla, kopshte e çerdhe.”

Ministri ukrainas për Industritë Strategjike, Aleksandër Kamyshin vlerësoi mikpritjen dhe punën e bërë në kryeqytet për mbarëvajtjen e samitit. Tirana është dhe pjesë e Këshillit Koordinues të qyteteve partnere, që ndihmojnë në rindërtimin e Ukrainës.

Tv Klan