Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali i është përgjigjur akuzave të opozitës dhe kreut të grupit të PD Gazment Bardhi në lidhje me investigimin e televizionit italian Rai3.

Duke folur në Parlament, Spiropali ju përgjigj me ironi opozitës, duke ju referuar faktit që mbrëmjen e djeshme, Rai3 nuk transmetoi pjesën e dytë të investigimit siç kishte paralajmëruar.

“E bleu dhe Rain ky dikatori, siç ka blerë Departamentin e Shtetit, Merkelin, Sançezin dhe Komisionin e Venecias. Ky diktatori i Tiranës që shet Shqipërinë për të blerë vota, mund t’i ketë çuar Rait nja 30 a 70 meleon Euro nga ato që i kanë tepruar pasi bleu Melonin. Përtej tij ka një llogari morale, një faturë dinjitetit që duhet paguar. Këtu zë fill edhe marrëzia e tyre që kanë humbur fillin. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Kanalizimeve të Ujërave të Zeza Mediatike (KUZM), edhe Rai qenka shitur te edi rama. E meqë episodi i mbrëmshëm nuk paska vazhduar të sjellë në Tiranë produktin e KUZM mbi fytyrën e Shqipërisë, për t’i derdhur në shtëpitë e italianëve, kjo na qenka prova e radhës e fuqisë censuruese të Edi Ramës.

Unë nuk hyj në këtë marrëdhënien nepotike, por pas perdeve të asaj penxhereje ku derdhet aq llum kundër Shqipërisë, ka shumë fantazma. Në pritje që Edi Rama të bëjë një intervistë të pacensuruar me Rai3, i shprehim solidaritetin tonë për këtë sulm të turpshëm. Interesi ynë politik është që ju nga gafa në gafë, nga humbja në humbje, po të ndiqnim vetëm këtë interes do t’ju thoja aferim në yryshin tuaj. As hasmit nuk do ja uroja këtë torollisje në çmenduri”, tha ministrja Spiropali.

/tvklan.al