Erdogan: Do hap kufijtë e emigrantëve drejt Europës

Ofensiva më e fundit e ushtrisë siriane kundër rebelëve ka nxitur një tjetër eksod masiv nga Idlibi. 215 mijë civilë janë larguar nga qyteti, shumica e të cilëve duan të strehohen në Turqi. Ndërsa presidenti turk Erdoan paralajmëron se do të hapë kufijtë që ata të largohen drejt Europës.

Valët e eksodit masiv në Siri nuk kanë fund. 215 mijë banorë janë larguar nga Idlibi prej muajit nëntor. Mijëra të tjerë vazhdojnë të ikin, siç duket qartë në këto pamje.

Eksodin po e nxit së fundi edhe ofensiva ushtarake e regjimit të Bashar al Asadit. Ushtarët e Damaskut duan të spastrojnë zonën nga të gjithë militantët opozitarë që ndodhen në qytet. Vetëm në 2 ditët e fundit janë larguar 10 mijë civilë për t’u shpëtuar luftimeve. Shumë prej tyre po jetojnë në kampet e ngritura nga organizatat humanitare turke. Të tjerë synojnë të strehohen në Turqi, ku aktualisht jetojnë në kampe mbi 3.6 milionë refugjatë nga ky vend.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan akuzoi regjimin sirian se ka shkelur armëpushimin e arritur mes Ankarasë dhe Moskës pas nisjes së ofensivës turke në veri të Sirisë në fillim të tetorit. Erdoan kërkoi ndihmë nga Bashkimi Europian për strehimin e tyre, pasi sipas tij, Turqia e ka të pamundur të përballojë një valë të re refugjatësh, për të cilët deri më tani ka shpenzuar 40 miliardë dollarë nga viti 2011. Në të kundërt ai paralajmëroi se do të hapë dyert për ta drejt Europës.

Tv Klan