Nuk do të votojmë pro Majkos në rast të një votëbesimi në Parlament. Kështu është shprehur sot një nga të moderuarit e Partisë Demokratike, ish kryetari Tritan Shehu. Duke ruajtuar pozicionin opozitar, Shehu ka kundërshtuar kështu edhe disa nga deputetët demokratë të krahut Pollo të cilët pas takimit Meta, Xhaferri, Rama janë deklaruar hapur pro Kryeministrit Majko.

Tritan Shehu: Së pari nuk duhen ngatërruar gjërat, takimet personale janë takime personale. Së dyti, qëndrimet politike janë qëndrime politike. Zoti Majko është Kryeministër i PS, ai ka marrë votëbesimin nga PS dhe do të vazhdojë ta marrë votëbesimin nga PS. Ne jemi opozitarë, ne kemi alternativë tjetër, prandaj ne në këtë mënyrë nuk mund të japim votëbesimin asaj qeverie të cilës nuk mund t’i besojmë fatet e Shqipërisë, nuk mund të besojmë se ajo do të arrijë dot të nxjerrë Shqipërinë nga gjendja e rëndë që është, sepse i përcakton atij spektri politik i cili është i paaftë të realizojë këtë gjë. Janë gjëra absurde. Në politikë nuk bëhen gjërat kështu. Në politikë bëhen gjërat mbi platforma, mbi programet. Ne kemi votuar një herë kundër atij programi kështu që nuk ka asnjë arsye pse duhet të ndërrojmë pozicionin sot. Ato janë probleme të brendshme të Partisë Socialiste, janë probleme që ato kanë midis tyre që duhet t’i zgjidhin. Ne jemi të interesuar që PS të jetë gjithmonë një parti sa më europiane sa më e emancipuar se kjo i intereson Shqipërisë. Për probleme të tjera padyshim nuk mund të hyjmë, ne kemi problemet tona në PD në rrugën që ajo duhet të bëjë për të ndryshuar atë që duhet të ndryshojë ajo./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego