Sot dita e inaugurimit të Biden si president i SHBA

Donald Trump la Shtëpinë e Bardhë pas 4 vitesh në pushtet, që do të hyjnë në historinë në Shtetet e Bashkuara si ato të një presidenti të pazakontë për vendin dhe gjithë globin. Çifti presidencial la ndërtesën e famshme presidenciale në orën 08:30 të mëngjesit me orën lokale, për t’u larguar me helikopter drejt aeroportit ushtarak për të marrë avionin presidencial drejt rezidencës Mar a Lago në Florida ku do të qëndrojë nga sot e tutje.

Përpara ngjitjes në avion, Trump mbajti edhe një fjalim që ndër të tjera nuk u duk si për lamtumirë. Ai u shpreh se do të rikthehej në një mënyrë apo në një tjetër, ndoshta edhe me shpresën se mund të rikandidojë për president pas 4 vitesh, nëse këtë nuk ia pengon procedura e ngritjes së akuzave të dyta penale që ka nisur në Kongres. Tashmë ish-president, Trump tha se e ardhmja e vendit nuk ishte dukur kurrë kaq e mirë sa aktualisht, si rezultat i punës 4-vjeçare të tij.

Trump tha se shpresonte që administrata e re të mos zhbëjë arritjet e deritanishme dhe mbi të gjitha të mos rrisë taksat. Ndërsa premtoi se amerikanët do të shohin gjëra të jashtëzakonshme nga sot e tutje. Tashmë nisin procedurat e marrjes së pushtetit nga Joe Biden që do të betohen në mesditë me orën lokale.

Orët e fundit, ai i shfrytëzoi edhe për të dhënë mbi 70 amnisti, mes të cilave edhe për Steve Bannon-in, ish-këshilltarin e tij më të ngushtë, reperin Lil Wayne, etj. Më herët Trump shfuqizoi ndalimin e hyrjeve në SHBA për shtetasit europianë që ishte në fuqi prej Majit, urdhër të cilin Biden premtoi se do ta rikthejë.

Tv Klan