“Fermeri në krizë, paratë e shqiptarëve në xhepat e oligarkëve”

Nga Baldushku, kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoi qeverinë për mungesë investimesh dhe subvencionesh për fermerët.

“Ne vend ta ndihmojnë fermerin shqiptar qe prodhimin ta nxjerrë me një kosto sa më të përballueshme e ka shkatërruar sektorin rural duke bërë që prodhimet tona të mos jenë konkurruese dhe të vijnë nga Maqedonia. Fermerët tanë i hedhin dhe gjithë kjo punë në vend që t’u kthehet në bekim ju kthehet në një  mallkim sepse janë zhytur në borxh.”

Sipas kryedemokratit paratë e parashikuara për bujqësinë e banorët e zonave rurale kanë përfunduar në xhepat e klientëve të kryeministrit.

“Paratë që duhet të shkonin për subvencione, paratë që duhet të shkonin për investimet minimale në rrugë aksesi, ujësjellës kanalizime, Edi Rama ua jep si bonus oligarkëve, duke u hequr TVSH-në e jahteve. Ua paguan anëtarëve te bandës së Lushnjës që janë pronarët e vërtetë të inceneratorëve dhe të landfillit të Sharrës. Janë banditët e bandës së Lushnjës, të cilët i ka bërë ortakë së bashku me anëtarë aktualë apo ish anëtarë të kupolës socialiste”.

Për daljen nga kriza, Basha u shpreh se Partia Demokratike ka një program ekonomik që synon rimëkëmbjen e sektorit të bujqësisë.

“Në uljen e çmimit të naftës, duke hequr taksën “Rama”, me një buxhet prej 100 milion Eurosh të barabartë me Kosovën dhe Maqedoninë, për subvencione për bujkun dhe fermerin, i cili do të shkojë drejtpërdrejt për të mbështetur familjet dhe fermerët sipas prodhimit, në bazë të prodhimit të tyre, pra dhe jo në bazë të aferave me grumbullues dhe me importues”.

Me shqetësim kreu i opozitës foli edhe për faturimin e ujit që u bëhet banorëve të Baldushkut, që sikundër tha e paguajnë atë si biznes.

Tv Klan