Rasti i Blanca Arellano është një nga ato rastet kur sakrifica për dashurinë kthehet në një skenë të tmerrshme krimi.

Në Nëntor të këtij viti 51-vjeçarja udhëtoi nga Mexico drejt qytetit të Huacho-s në Peru, për të takuar të dashurin e  saj të cilin e kishte njohur përmes rrjeteve sociale. Arellano kishte lajmëruar familjarët e saj se do të takonte të dashurin 37-vjeçar Juan Pablo Jesús Villafuerte, njeriun me të cilin kishte shkëmbyer biseda romantike për disa muaj.

Gjithçka dukej mirë deri në datën 7 Nëntor kur familjarët nuk kontaktuan dot me të. Ishte mbesa e saj Karla Arellano, e cila njoftoi zhdukjen e Blanca-s në rrjetet e saj sociale, gjë që vuri në lëvizje dhe autoritetet peruane. Ajo kishte marrë një telefonatë të dyshimtë nga 51-vjeçarja pak para se të ndodhte krimi i tmerrshëm.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të isha në këtë situatë, por sot po kërkoj mbështetjen tuaj për të shpërndarë këtë postim dhe për të gjetur një nga njerëzit më të dashur dhe më të rëndësishëm të jetës sime. Tezja ime Blanca Olivia Arellano Gutiérrez u zhduk të hënën më 7 nëntor në Peru. Ne kemi frikë për jetën e saj”, shkruante Karla në postimin e 12 nëntorit.

Menjëherë pas kësaj, Karla kontaktoi në rrjetet sociale me të dashurin e tezes së saj, i cili i tha se nuk kishte asnjë dijeni për vendndodhjen e saj, duke theksuar se ata ishin ndarë pak para se ajo të udhëtonte për në Peru.

“Nuk i ofrova dot jetën që ajo donte, uroj ta gjeni”, ishte mesazhi i të riut.

Pas disa kërkimeve në qytetin bregdetar ku ajo supozohet se do të kalonte pushimet me të dashurin  e saj, është gjetur dhe trupi i pajetë i Blanca Arellano. Autoritetet peruane bënë me dije se trupi i saj i ndarë copash u gjet në plazhin e qytetit të Huach-os. Menjëherë pasi u gjetën copa të trupit të saj, policia arrestoi 37-vjeçarin si të dyshuarin kryesor për krimin e rëndë. Në shtëpinë e tij u gjetën prova të mjaftueshme se ai ishte autori i vrasjes dhe se kishte planifikuar çdo gjë për trafikimin e organeve të saj./tvklan.al