Nënsekretari italian i shtetit për Punët e Jashtme Umberto Ranieri, ka mbërritur sot në Tiranë ku ka nënshkruar protokollin e shkëmbimit të instrumentave të ratifikimit të traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit, me ministrin tonë të Jashtëm Paskal Milo në emër të të dy vendeve.

Më pas ai është takuar me Kryeministrin Ilir Meta. Nënsekretari italian e ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve në Shqipëri si të ndershme dhe transparente. Këto zgjedhje theksoi ai, demonstroi qëndrueshmërinë e reformave demokratike në Shqipëri duke e bërë atë një faktor stabilizues në rajon.

Ndër të tjera Ranieri premtoi se ndihma e Italisë kundrejt Shqipërisë do të jetë e gjithanshme, jo vetëm në marrëdhënie dypalëshe, por edhe në procesin e bisedimeve me Bashkimin Europian për marrëveshjen e stabilitetit dhe asocimit./tvklan.al