Vrasja e 38-vjeçares Anila Ruçi në Itali më 19 Prill 2023 tronditi mbarë opinionin publik. Ajo u gjet e masakruar me thikë brenda banesës së saj në Scaldasole të Pavias. I goditur me thikë, por i plagosur, u gjet edhe 30-vjeçari Osman Bylyku. Të dy jetonin në të njëjtën shtëpi, ndërkohë që fqinjët italianë thanë në atë kohë se Anila e prezantonte Osmanin si vëllain e saj.
Por ky fakt nuk është i vërtetë. Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus udhëtoi drejt Italisë dhe mësoi se Anila Ruçi ka patur një lidhje dashurie me Ahmet Bylykun, babain e Osman Bylykut.
“Anila e prezantonte si vëllain e saj. Por në fakt nga të dhënat që kemi zbuluar është se Osman Bylyku është djali i ish-bashkëjetuesit apo të dashurit të Anila Ruçit. E më konkretisht shtetasit Ahmeta Bylyku aktualisht 60 vjeç babai i dy fëmijëve dhe jeton në Elbasan. Ai e ka sjellë për jerë të parë Anilën në këtë zonë, në zonën e Scaldasoles. Shtëpia fillimisht është marrë me qira në emër të dhëndrit të Ahmet Bylykut dhe më pas ka ndryshuar pronësinë”, raporton nga Scaldasole gazetari Spartak Koka.
Kamerat e sigurisë në zonë e kanë fiksuar gjallë për herë të fundit Anila Ruçin pasditen e 18 Prillit 2023 rreth orës 18:30, kur 38-vjeçarja dhe Osman Bylyku futen në shtëpi.
Elierta Myftari, avokatja e Osman Bylykut, ka thënë për gazetarin Spartak Koka se Osmani dhe Anila Ruçi kanë patur bashkë vetëm lidhje shoqërore.
Gazetari Spartak Koka: Cila është marrëdhënia që ka patur Osmani me 38-vjeçaren nga Elbasani, nga i njëjti vend që është dhe klienti juaj Osman Bylyku.
Avokatja Elierta Myftari: Versionet kanë qenë nga më të ndryshmet. Unë si avokate mund të them që ka qenë një farë marrëdhënie miqësie midis tyre. Nuk ka as marrëdhëni familjare, as marrëdhënie sentimentale nga ky këndvështrim.
Gazetari Spartak Koka: Pra, përjashtohet marrëdhënia sentimentale mes tyre?
Avokatja Elierta Myftari: Nga informacionet që kam nuk ka pasur marrëdhënie sentimentale midis tyre. Vështirësia e këtij rasti qëndron pak a shumë edhe tek ky këndvështrim përsa i përket punës time, sepse Osmani deri më sot në dy herët që e kam takuar nuk ka dashur të shprehet në lidhje me ngjarjen.
Gazetari Spartak Koka: E pohon? E mohon?
Avokatja Elierta Myftari: Nuk shprehet! E vetmja gjë që më tha është që po akuzohet për shumë gjëra të padrejta. Vetëm kaq më tha. Dhe nuk ma tha në lidhje direkte me ngjarjen. I thashë që ai ka nevojë të flasi me mua në mënyrë që t’i sqarojë pastaj edhe hetuesve çfarë ka ndodhur, sepse normale që nga dy personat që kanë qenë prezent në ngjarje, të paktën që dihet dhe ishin Anila dhe Osmani, ata të dy e dinë të vërtetën. Anila nuk shprehet dot më, Osmani ka mundësinë të shprehet dhe të mbrohet. Atë i thashë.
Aktualisht Osman Bylyku është i ndaluari i vetëm nga policia italiane për vrasjen e Anila Ruçit, edhe pse vetë kishte mbetur i plagosur nga goditjet me thikë. Edhe shkaqet e vrasjes mbeten ende të panjohura.
/tvklan.al