Kreu i bashkisë takoi banorët e Njësisë 4

Të gjitha dosjet e familjeve që kanë humbur shtëpitë në tërmetin e 26 Nëntorit do të mbyllen brenda këtij viti. Në takimin me banorët e njësisë numër 4 kërkoi që gjithçka të përshpejtohet dhe asgjë të mos mbetet për vitin tjetër.

“I mbyllim dosjet! I marrim vendimet! Po t’i lëmë për vitin tjetër do thonë: Po i bëjnë për fushatë, jo po se kanë interes tani, jo se duan t’i mbajnë njerëzit varur. Ne nuk jemi ai lloj race, nuk mbajmë asnjeri varur. Siç mbyllëm 100% tërmetin e shtatorit, do të mbyllim 100% edhe të nëntorit. Nëse ata kanë gjetur 6 spekulantë në 6000 dosje, do të thotë 1 në 1000; pra, 999 të tjerët janë realisht nevojtarë që po ndihmohen, janë mirënjohës, janë njerëz të drejtë, që e duan rendin, që respektojnë faktin se komuniteti po i ndihmon”.

Veliaj u ndal të shikojë edhe ecurinë e punimeve për ndërtimin e stacioni të ri të zjarrfikës në zonën e Kinostudios.

“Sapo kemi mbyllur stinën e zjarreve, një stinë e jashtëzakonshme me problematika dhe jam shumë krenar për të gjithë ju. Sot dua t’ju uroj sukses 50 zjarrfikësve të rinj, jo vetëm me fjalë, por edhe me një kryevepër! Deri në fund të vitit, ne do kemi zjarrfikëset më moderne në rajon”.

Gjatë periudhës së tërmetit, por edhe të pandemisë, shërbimi zjarrfikës i kryeqytetit ka përballuar një numër të lartë telefonatash nga kryeqyteti, ndërsa një ndihmë të çmuar ka dhënë edhe në rastet e aksidenteve automobilistike.

Tv Klan