Qytetarët lëvizin lirshëm në të 3 shtetet

Prej mesnatës mes të enjtes dhe të premtes, vendet balltike hapën kufirin për kalimin e njerëzve, duke u bërë të parat vendet anëtare të Bashkimit Europian që ndërmarrin këtë nismë në mes të pandemisë së COVID-19.

Pamjet janë xhiruar në një nga pikat kufitare tokësore mes Lituanisë dhe Letonisë. Kalimi u lejohet vetëm qytetarëve që nuk janë të infektuar. Matja e temperaturës që në pikat kufitare është një prej treguesve kryesorë që paralajmëron simptomat e koronavirusit dhe i dërgon menjëherë vizitorët në izolim.

Lëvizja e lirë lejohet vetëm mes 3 vendeve, ndërsa vizitorët që duan të hyjnë nga jashtë kësaj hapësire duhet të izolohen për 14 ditë. Kryeministri i Lituanisë Saulius Skvernelis, bashkëfirmëtar i marrëveshjes së pak ditëve më parë me homologët e tij nga Estonia dhe Letonia tha në një deklaratë për shtyp se rifillimi i lëvizjes së lirë i jep frymëmarrje biznesit, në veçanti turizmit dhe shpresë për rikthimin në jetën normale.

Të tre vendet kanë pasur nivele të ulta infektimi dhe më pak se 150 viktima së bashku. Hapa drejt rihapjes së kufijve ka marrë edhe Gjermania me fqinjët. Sipas direktivave të Komisionit Europian, vendet anëtare mund të hapin kufijtë e brendshëm me marrëveshje, ndërsa kufitjë e jashtëm për shtetasit nga vendet jo anëtare si Shqipëria pritet të hapen jo më parë se 15 Qershori.

Tv Klan