Trump paralajmëron nxjerrjen e ushtrisë në rrugë

Xhorxh Floid, afro-amerikani 46-vjeçar është vrarë nga policia gjatë arrestimit më 25 Maj në Mineapolis dhe këtë tashmë e konfirmon zyrtarisht autopsia private e kryer nga ekspertët mjeko-ligjorë me kërkesë të familjes. Ai pësoi infarkt nga asfiksia, pasi policët i penguan frymëmarrjen duke i ushtruar presion me gju prapa qafës.

Duket qartë edhe nga këto pamje të xhiruara gjatë tentativës për arrestim, forca që ushtron polici në qafën e viktimës. Raporti përfundimtar hedh poshtë atë paraprak të publikuar disa ditë më parë, ku thuhej se dhuna policore nuk ishte shkaku i vdekjes së tij.

Autopsia publikohet në ditën e 7 të protestave të dhunshme që kanë përfshirë një pjesë të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Uashington. Por përveçse kanë shprehur indinjatën duke sulmuar komisariatet e policisë, institucionet, e kanë djegur automjetet e tyre, protestuesit kanë sulmuar e plaçkitur deri biznese luksoze, si në rastin e Uashingtonit, por edhe markete e supermarkete, siç tregojnë këto pamje të xhiruara në Çikago.

Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi se do të urdhërojë ushtrinë të rikthejë qetësinë dhe rregullin në gjithë vendin. Ai i quajti këto protesta të dhunshme, akte të terrorizmit të brendshëm.

Media të ndryshme hedhin dyshime se dhuna në protesta është e financuar nga grupe të ndryshme interesi të lidhura me miliarderin Xhorxh Soros.

Protesta është shtrirë në qindra qytete. Deri më tani flitet për disa protestues të vrarë, 2 prej të cilëve në Ajova gjatë 24 orëve të fundit. Me dhjetëra janë të plagosurit e me mijëra të arrestuarit.

Tv Klan