Fadil Kasemi ka vendosur të kyçë gojën. Gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nuk ka pranuar të japë shpjegime para grupit hetimor për motivin e vrasjes së ish – bashkëshortes, gjyqtares Fildeze Hafizi.

Burime nga grupi hetimor thanë për Tv Klan se tregtari 53 – vjeçar nuk ka shfaqur pendesë, por gjithe kohën ka pasur mllef ndaj ish – bashkëshortes, të cilën e vrau me plumb në kokë.

U ka thënë hetuesve se i vjen keq për fëmijët dhe vetëm atyre u kërkon falje. Por nuk u ka treguar se përse e vrau gjyqtaren, me të cilën ishte divorcuar dy vjet më parë.

Pas marrjes së një avokati, të siguruar nga familja, Kasemi ka deklaruar se sqarimet rreth ngjarjes ai do t’i japë në një fazë tjetër.

Policia dhe Prokuroria kanë zbardhur dinamikën e ngjarjes në bazë të dëshmive dhe kqyrjes së kamerave të sigurisë që kanë filmuar vrasjen e ndodhur ditën e enjte rreth orës 14:00, në zonën e “Xhamllikut”.

53 – vjeçari ka pritur që ish – bashkëshortja të hipë në makinën e saj dhe i ështe afruar teksa ka qënë duke vendosur rripin e sigurimit. Xhami i mjetit ka qënë gjysëm i hapur, ndërsa Fadil Kasemi ka qenë 10 metra pas automjetit. Është afruar me shpejtësi dhe ka qëlluar pa pasur asnjë lloj komunikimi me ish – gruan. Nga pamjet filmike duket se Kasemi ka qëlluar dy herë. Goditja e parë është bërë nga 20 cm largësi, ndërsa e dyta nga mjaft afër.

Pas kryerjes së krimit Fadil Kasemi është larguar në drejtim të rrugës “Bardhyl” me pistoletë në dorë. Ka kërcënuar një drejtues furgoni, duke i vendosur armën në kokë dhe i ka kërkuar që ta nxjerrë jashtë Tirane. Por në këtë kohë ka ndërhyrë një patrullë e policisë, duke i vënë prangat./ Tv Klan