Oficeri i ushtrisë qipriote ka pranuar para autoriteteve atje se ka vrarë të paktën 7 femra. 35-vjeçari, rasti i të cilit u bë publik pak ditë më parë, po konsiderohet nga mediat vendase si vrasësi i parë serial në këtë ishull.

Viktimat janë të gjitha gra e vajza. Dy trupa u gjetën më herët gjatë këtij muaji, ndërsa një i tretë u gjet të enjten.

Por gjatë marrjes në pyetje i dyshuari ka pranuar autorësinë e të paktën 4 vrasjeve të tjera. Policia ka nisur tashmë punën për gjetjen e trupave të tjerë, në bazë të informacioneve që ai ka dhënë.

Sipas BBC, në mesin e viktimave dyshohet të jenë një grua indiane ose nepaleze, si dhe një rumune dhe vajza e saj 8-vjeçare. E zhdukur rezulton edhe një 6-vjeçare, gjithashtu e bija e një prej viktimave.

Trupi i tretë u gjet nga hetuesit të enjten pasi i dyshuari u tregoi atyre vendin ku e kishte hedhur, pranë kryeqytetit Nicosia. I dyshuari raportohet se e takoi viktimën, e cila u zhduk në Dhjetor të 2017-s, në një website njohjesh.

Të tre trupat e gjetur janë më prejardhje nga Filipinet.

Emri i 35-vjeçarit nuk është bërë ende publik. Ndërkohë, policia qipriote mësohet se ka kërkuar ndihmë nga ekspertët investigativë britanikë.

/tvklan.al