Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, është takuar me kreun e SPAK, Klodian Braho, këtë të hënë, 5 tetor. Në fokus tw takimit ka qenë lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila thekson se këto janë ndër përparësitë kryesore të Presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas ambasadës, Wendt dhe drejtuesit e SPAK-ut diskutuan rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe mënyrat se si partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA-ve mund të kontribuojë për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dy vendet.
Takimi me Klodian Brahon vjen në kuadër të kontakteve të para të ambasadorit amerikan me institucionet kryesore shqiptare, pas nisjes së misionit të tij diplomatik në Tiranë. Wendt është takuar më herët edhe me Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes, në takime ku në qendër kanë qenë siguria, mbrojtja dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.
Me takimin në SPAK, lufta kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare merr një vend të rëndësishëm në agjendën e ambasadorit të ri amerikan. Mesazhi i përcjellë nga Ambasada e SHBA-së është se institucionet e pavarura të drejtësisë kanë një rol të rëndësishëm në përballimin e krimit transnacional dhe sfidave të sigurisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
