Kabineti i ri u votua në Parlament në mesnatë

Mbrëmë vonë deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 62 vota “pro” dhe 51 “kundër” votuan Qeverinë e re që do të udhëhiqet nga Kryeminsitri Zoran Zaev dhe miratuan programin qeveritar që si sfida do të ketë tejkalimin e pasojave nga covid, zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Prioriteti i parë i kabinetin të ri qeveritar do të jetë vazhdimi i masave anti-covid për të ndihmuar më shumë qytetarët dhe ekonominë. Tejkalimin e pasojave kjo krizë dhe kthimin e shkallës paraprake të rritjes ekonomike. Vjen koha e rendit, drejtësisë dhe disiplinës. Ligjet janë miratuar tash është koha për zbatimin e tyre. Kush nuk do t`i respketojë do të përballet me ligjin”.

Nënkryetari i parë i Qeverisë Artan Grubi nga BDI-ja pas koordinimit me ministrat e partisë së tij, ka theksuar se një nga detyrat do të jetë harmonizimi i qëndrimeve partiake në programin e përbashkët qeveritar dhe zbatimin e tyre, por edhe gjetjen e një zgjidhjeje për mbi 1000 të punësuarit që marrin paga, kurse me vite të tëra nuk shkojnë në punë.

Pas një kohe të gjatë është prononcuar edhe lideri i opozitës Hristijan Mickoski, duke parashikuar se qeveria nuk do të ketë jetëgjatësi dhe paralajmëroi se partia e tij nga Vjeshta do të fillojë me protesta.

“Kemi një qeveri të LSDM-së dhe BDI-së që është mafioze, me gënjeshtra dhe krime. Njëri për tjetrin thanë se nuk vlejnë as pesë para, se janë kanceri i krimit në shoqëri. Dita ditës po largohen nga vlerat evropiane. Këto ditë kemi 40 mijë të papunë brenda 5 muajve. Unë nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje që të ndihmoj LSDM-në dhe Zoran Zaevit”.

Mbrëmë, deputeti i BDI-së Arben Ziberi, ka votuar i izoluar, nga një hapësirë e veçantë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, për shkak të dyshimit se mund të ishte prekur nga koronavirusi. Ai gjatë ditës ka bërë të ditur se nuk është ndjerë mirë por ende nuk ka njohuri nëse është i infektuar me COVID-19.

Gjatë ditës, nëpër shumë Ministri është bërë dorëzimi i detyrave të ministrave të rinj, kurse Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka zhvilluar një takim me kabinetin e ri qeveritar.

Klan Macedonia