Partia Demokratike do të mbledhë sot në orën 18:00 Kryesinë, ku do të publikohet dhe raporti i hartuar për zgjedhjet e 25 Prillit. Klan News ka zbardhur raportin që do t’i paraqitet Kryesisë, ku drejtuesit e qarqeve kanë nxjerr dhe përfundimet pse zgjedhjet nuk folën në favorin e tyre.

Mësohet se në raport hidhen akuza kundër qeverisë, që sipas PD ishte “angazhuar në një operacion masiv dhe skemë sistematike në shkallë të gjerë të blerjes së votave, në bashkëpunim me kartelet e drogës dhe bandat më të rrezikshme të krimit të organizuar, të cilat në shumë raste u morën në mbrojtje nga Policia e Shtetit“.

Drejtuesit e qarqeve thonë në raportin e tyre se  Partia Socialiste vendosi disa përfaqësues të krimit të organizuar në listat e saj për deputetë dhe se janë përdorur burimet e administratës për blerjen e votave.

Po ashtu në analizën e zgjedhjeve të 25 Prillit, Partia Demokratike evidenton dhe disa problematika të tjera:

Asnjë nga krimet elektorale nuk është ndëshkuar, përfshirë ato që u zhvilluan gjatë zgjedhjeve 2016, 2017 dhe / ose 2019, të cilat vazhdon të ushqejë ndjenjën e përhapur të mosndëshkimit të krimeve të lidhura me zgjedhjet, duke nxitur kështu përhapja e tyre masive në vitin 2021.

Mazhoranca socialiste ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme dhe shkeli Marrëveshjen e 5 Qershorit të arritur në kuadrin e Këshillit Politik, duke i krijuar Partisë Socialiste avantazhe të padrejta elektorale, për shkak ndryshimi i formulës së konkurimit në koalicione, ulte peshën e partive politike të koalicionit opozitar, apo krijonte kushtet për të dalë me lista të veçanta të partive brenda koalicionit opozitar

Shumica qeverisëse kontrolloi edhe procesin e vendimmarrjes së KQZ-së, duke ndërhyrë politikisht në ndryshimin e  paraqitjes që ishte rënë dakord të fletëve të votimit në minutën e fundit, duke shkaktuar një konfuzion tek votuesit.

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve qeveria vendosi të mbyllë kufirin me Greqinë dhe Maqedonia e Veriut nën pretekstin COVID-19, duke bërë kështu votën e emigrantëve shqiptarë të pamundur. Kjo u reflektua në pjesëmarrjen e ulët në votime në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në të gjitha Raportet e të 12 qarqeve jepen evidenca të plota, me raste konkrete dhe të detajuara, sesi rezultati i zgjedhjeve në qark është ndikuar në mënyrë masive.

Në termat e rezultatit zgjedhor, Partia Demokratike arriti të siguronte 59 mandate nga 140 mandate gjithsej, ose 42 % të mandateve totale. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, ku PD mori 43 mandate, rezulton se numri i mandateve të fituara është rritur me 16 mandate, pra ka një rritje 37 % të numrit të mandateve të fituara. PD arriti të siguronte 622,265 të vlefshme (39.43 %), me një rritje prej 36 % krahasuar me vitin 2017 ku mori vetëm 456,481 vota (28.85 %). Konkretisht, Partia Demokratike në 2021 ka marrë 165,784 vota të vlefshme më shumë se në vitin 2017.

Nga analiza e të dhënave të rezultatit zgjedhor rezulton se:  Kanë arritur projeksionin maksimal në mandate qarqet Dibër, Elbasan dhe Kukës.  Kanë arritur projeksionin minimal në mandate, duke qenë brenda pritshmërisë, qarku Berat, Fier, Korçë, Lezhë dhe Vlorë.  Nuk ka arritur projeksionin minimal në mandate dhe për pasojë cilësohet si i parealizuar projeksioni në mandate për qarqet Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë.

Rezultati i listës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2021 (39.4 %) është i krahasueshëm vetëm me rezultatin e listës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2009 (40.2 %), me një diferencë vetëm – 0.8 %.

Ndryshimi i formulës së koalicionit, nga listat e përbëra në lista të përbashkëta, uli forcën e koalicionit opozitar, për shkak se numri i kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhje ishte njëlloj sikur PD të kishte konkuruar pa koalicion. Në shumë qarqe, partitë aleate mbetën pa u përfaqësuar në listën e Patisë Demokratike, për shkak se KQZ nuk lejojë, në shkelje të ligjit, regjistrimin e më shumë se 154 kandidatë gjithsej.

Në kushtet e masakrës zgjedhore, puna duhet të përqëndrohet në qarqet ku ka mundësi reale për mandate të tjera shtesë në qarqet Berat, Durrës, Fier, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë. Për pasojë, e gjithë strategjia në vijimësi për të goditur me forcë krimet zgjedhore dhe fenomenet e paligjshme që kanë ndikuar në rezultat, duhet të përqëndrohet kryesisht në këto 7 qarqe./tvklan.al