Arrestohet autori i dyshuar. I riu në gjendje kritike për jetën

Autoritetet kanë mundur të zbardhin ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Cërrnic të Tropojës, ku mbeti i plagosur rëndë një 36-vjeçar. Kështu, sipas një njoftimi të policisë, mësohet se është bërë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, ndërsa janë proceduar edhe 3 persona për moskallëzim të krimit.

Policia thotë se plagosja e të riut, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën, erdhi si pasojë e motiveve të dobëta.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin S. M., 39 vjeç, banues në Rosuje, Tropojë, pasi në vendin e quajtur “Ura e Bujan”, në fshatin Cërrnicë, mbrëmjen e datës 23.04.2020, dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës shtetasin S. M., 36 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas, për “Moskallëzimi i krimit”, konkretisht; A. L., 54 vjeç, banues në Bujan; R. V., 52 vjeç, banues në Bujan; R. G., 54 vjeç, banues në Sopot”, thotë policia në një njoftim për mediat./tvklan.al