‘Dhëndri’ është gati, princeshat janë gati, produksioni gjithashtu… Mbetet vetëm një javë nga nisja e “Love Story” në Tv Klan. Stafi dhe të gjithë aktorët pjesëmarrës, brenda të gjitha rregullave dhe protokollit anti-Covid, kanë nisur xhirimet për puntatat e para të spektaklit, i cili jo vetëm do të kërkojë dashurinë, por edhe do ta gjejë atë pranë publikut.

Formatin, tashmë të gjithë e dini. Në qendër të këtij “seriali” me histori dashurie dhe jete që do t’ju mbërthejnë në ekran, është Saimiri dhe rreth tij, dhjetëra vajza që do të garojnë për të zënë “fronin” e princeshës. Megjithatë, gara nuk do të jetë kaq e thjeshtë, sepse dashuria duhet të kalojë edhe disa prova.

“Love Story” e ka gati historinë për të treguar. Data kur do të nisë transmetimi i programit të ri nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu është e hëna e 16 Nëntorit, por ky rrugëtim disa javor do të shoqërohet edhe nga dy emra mjaft të njohur të ekranit, të cilët do ta bëjnë edhe më interesant këtë format deri në fund të tij.

Ekipi plotësohet me dy emra ngacmues për botën e medias, nga ata që nuk kanë problem ta thonë hapur mendimin e tyre, edhe nëse të gjithë i kanë kundër. Të parin, e njihni pa dyshim, pjesë e programeve të Tv Klan prej vitesh tashmë, por edhe emrin tjetër, jo më pak.

Robert Aliaj

A mund të shtojmë tjetër gjë pas emrit? Artisti i situatave të larmishme, që ka shoqëruar për shumë sezone spektaklet e Tv Klan, emri pas të cilit gjithçka është transparente. Robert Aliaj vijon të mbetet në sytë e publikut një profil i pakrahasueshëm në çdo panel, me polemikat, humorin e hollë, si edhe me fjalën e lirë e komunikimin e drejtpërdrejtë, për të cilin “lufton” deri në fund pa bërë kurrë kompromise. Artisti antikonformist, ideatori dhe krijuesi i shumë situatave komike, të këndshme, por edhe debateve të zjarrta, do të jetë sërish bashkë me dyshen Grabocka – Vejsiu në një tjetër format televiziv për të dhuruar të njëjtën energji si edhe gjatë këtyre viteve në spektaklet në të cilat është bërë pjesë.

Por nuk do ta ketë edhe aq të thjeshtë me bionden që do ta shoqërojë…

Jerina Lalaj

Jerina Lalaj, konsulente karriere e shumë personazheve të njohur shqiptarë, do të ulet në krah të Robert Aliajt, për të qenë pjesë e kësaj historie të bukur dashurie që do të nisë pas pak ditësh. Themeluesja e studios “JLConsulting”, për dhjetë vite ka jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë, kryesisht në Itali dhe Spanjë, dhe mbi dhjetë vite ka qenë në rolin e drejtores së marketingut në shumë televizione të njohura shqiptare.

Jerina është një personazh i dashur për ekranin, por po ashtu, edhe ajo nuk bën kompromise kur është fjala për mendimin e lirë.

Vendin ideal ka prapaskenën, por këtë herë ka vendosur të jetë përpara kamerave për të neutralizuar çdo situatë që do të ketë nevojë për ndihmën e saj.

Jerina është mësuar të kujdeset shumë për personazhet që dalin në ekran, në mënyrë që secili prej tyre të japë më të mirën nga vetja. Nuk është në grupin e personazheve që tërheq vëmendje, por ata me të cilët punon janë të suksesshëm edhe falë saj.

Natyrisht, e ëmbël, elegante, me class, siç rrallë njerëz mund të jenë në rolin e saj, Jerina do t’ia shtojë ëmbëlsinë spektaklit “Love Story” çdo të hënë.

“Love Story”, programi më i ri që nis në Tv Klan, është një “Reality Dating Show”, produksion italo-shqiptar për dashurinë e vërtetë dhe emocionet. Personazhet që marrin pjesë nuk kanë vetëm dëshirë për të fituar zemrën e dikujt, por edhe zemrën e të gjithë publikut.

Me një skenografi gjigante nga duart e mjeshtrit Gaetano Castelli, e cila është zbuluar së fundi edhe nga producentet spektaklit, “Love Story” do të ndërtojë për çdo të hënë magjinë e një dashurie televizive, e cila, me siguri, do marrë vëmendjen e publikut.