Në Egjipt është gjetur mbishkrimi më i vjetër në botë

Gjendet në Egjipt harta më e lashtë për në botën e përtejme. Në një sarkofag 4000-vjeçar është gjetur brenda një fragment i shkrimeve të shenjta, që ndër të tjera është edhe i ilustruar, duke u bërë shkrimi i ilustruar më i lashtë që ekziston sot në botë.

Teksti quhej “Libri i dy rrugëve” dhe në Egjiptin e lashtë kur dikush ndërronte jetë, për të kaluar në botën tjetër duhet të kalonte një sërë sfidash të vështira para se të mbërrinte në mbretërinë e lavdishme Rostau.

Arkeologët e kanë zbuluar në nekropolin Dayr Al Barsha, që ishin varreza ku pushonin personalitete të larta. Në një prej tyre, ata kanë gjetur një sarkofag druri, i dekoruar me hieroglife.

Dhe pikërisht ato nuk janë gjë tjetër veçse një pjesë e tekstit të librit. Ekspertët pas analizave të detajuara thonë se pavarësisht se është një version jo i plotë dhe jo një libër tradicional, është gjithsesi forma më e lashtë e gjetur e tij, si dhe tekstin e parë të ilustruar të botës.

Ky sarkofag i përkiste një zonje të rangut të lartë që quhej Anki. Kësaj zonje i drejtoheshin këshillat se çfarë duhet të bënte gjatë udhëtimit të saj në botën përtej.

Disa simbole thonë që gjatë udhëtimit do të ndeshë një unazë zjarri të përbërë nga shpirtra të këqij, kundër të cilëve mund të mbrohej vetëm me magji të mira dhe më pas shpjegohen mënyrat specifike të formulimit të tyre.

Ky zbulim i universiteteve të Liverpulit dhe Leuven të Belgjikës është përshkruar në revistën e arkeologjisë egjiptiane.

Klan Plus