I gjithë vendi në gjendje të jashtëzakonshme

Bilanc i frikshëm në Itali. Autoritetet thanë se vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 168 pacientë, duke e çuar kështu numrin total të tyre në 631. Numri i të infektuarve me koronavirus arriti në mbi 8500. 10% e tyre janë në terapi intensive. Shpresë sjell rritja e numrit të të shëruarve që ka arritur në mbi 1 mijë.

Pjesën më të madhe të viktimave e ka rajoni i Lombardisë. Autoritetet rajonale i kanë paraqitën qeverisë planet e tyre për të mbyllur të gjitha dyqanet, zyrat dhe transportin publik deri në normalizimin e situatës. Prej kësaj të marte, Italia është e gjitha në gjendje të jashtëzakonshme. Janë ndaluar udhëtimet mes qyteteve, ndërsa lejohet kalimi vetëm i atyre që kanë arsye bindëse për të udhëtuar.

Autoritetet u kërkuan banorëve të shmangin daljet nga shtëpitë. Kush mundet punon nga shtëpia, çka ka çuar në boshatisjen e rrugëve nëpër qytete. Kancelari austriak Sebastian Kurz njoftoi urdhëroi vendosjen në karantinë për 14 ditë të të gjithë shtetasve që hyjnë nga Italia.

Në Greqi numri i të prekurve ka arritur në 89, ndërsa autoritetet vendosën mbylljen e shkollave dhe universiteteve për 14 ditë. Në Gjermani numërohen 2 viktima dhe mbi 1200 të infektuarish nga koronavirusi. E përditshmja Bild citon kancelaren Merkel të jetë shprehur në një mbledhje të partisë së saj, se deri në 80% e gjermanëve rrezikojnë të preken nga virusi edhe pse jo të gjithë mund të shfaqin simptoma.

Në Francë numri i viktimave ka arritur në 30 dhe mbi 1400 janë të infektuarit. Presidenti Macron tha se ky ishte vetëm fillimi i epidemisë në vend. Rastet e para të infektimit janë shënuar edhe në Qipro, çka tregon që i gjithë Bashkimi Europian është prekur nga koronavirusi.

Lajme të mira vijnë nga Kina, vatra e përhapjes globale, atje ku numri i të infektuarve ditorë ka rënë në 14, rekordi minimal që prej nisjes së përhapjes. Për të dhënë sinjalin e mposhtjes së koronavirusit, presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Wuhanin që u vendos i pari në karantinë. 

Mbi 4 mijë janë të vdekurit në gjithë botën dhe mbi 114 mijë të infektuarit. Ndërsa mbi 64 mijë janë shëruar.

Tv Klan