Votat e shqiptarëve do të kenë peshë të dyfishtë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni edhe pse nuk do të garojë kandidat shqiptar.

Përveç që munden të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve votat e shqiptarëve do të jenë të rëndësishme që të arrihet edhe censusi prej 40% i daljes në votime që është i domosdoshëm që zgjedhjet të jenë të suksesshme.

Për këtë arsye në fund të fushatës dy pretendentët për president janë përqendruar në joshjen e votuesve shqiptarë.

Më i drejtpërdrejt është kandidati i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Lubomir Fërçkovski.

Ai ka premtuar se në rast se zgjidhet për president do të punojë që brenda një afati të shkurtër të vendosen marrëdhëniet diplomatike me Kosovën.

Lubomir Fërçkovski: “E shfrytëzoj këtë rast t’i apel qeverisë së republikës së Maqedonisë që urgjentisht të vendosë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën sepse fqinjët shqiptarë u dëshmuan si vende me të cilat ne nuk kemi kurrfarë probleme.”

VMRO-DPMNE në raundin e dytë ka bërë marrëveshje për përkrahje me partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, dhe kandidati i kësaj partie lavdërohet se ka hasur në simpatitë e votuesit shqiptar.

Gjorge Ivanov:“Gjithkund ku shkojmë, veçanërisht në mjediset me popullatë shqiptare, kemi pritje të jashtëzakonshme. Veçanërisht në Kërçovë duhet të ishit prezent që të shihnit se si ishin raportet e qytetarëve shqiptarë ndaj koalicionit.”

Në raundin e parë Ivanov ka fituar 340 mijë, kurse Fërçkovski 200 mijë vota. Të dielën në Maqedoni balotazh do të ketë edhe në 43 komuna, në të cilat nuk u zgjodhën kryetarët në raundin e parë zgjedhor. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu